Prokuroria ka dhënë ditën e sotme pretencën për gjykatësin e Apelit, Shkëlqim Miri, i cili akuzohet për korrupsion. Organi i akuzës pranoi gjykimin e shkurtuar dhe nga 4 vite burg, kërkoi që ai të dënohet me 2.8 vjet.
Në fillim të nëntorit gjatë kontrollit të banesës iu gjetën 300 milionë lekë në shtëpi. Ai ishte emëruar që prej vitit 2010 në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe deri në vitin 2012 ka qenë anëtar i KLD-së.
Arrestimi i tij u bë një vit më parë pas një hetimi të nisur nga prokuroria nën akuzën e korrupsionit, pasi dyshohet se ka përfituar shumën prej 20 mijë eurosh në këmbim të ndryshimit të kualifikimit të veprës penale të një ngjarjeje të ndodhur në Burrel, në vitin 1997.
Dyshohet se gjyqtari ka ndryshuar akuzën nga vrasje, në plagosje të rëndë me dashje. I akuzuari quhet Gentian Doda, i ekstraduar kohë më parë nga Los Anxhelos, në SHBA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.