Lajme

Prokuroria kërkoi “arrest në burg”, Gjykata e Krimeve të Rënda e lë në “arrest shtëpie” Tahirin

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur pasditen e të shtunës masën “arrest shtëpie” për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ndërkohë që Prokuroria kishte kërkuar “arrest në burg”.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se Gjykata ka pranuar pjesërisht kërkesën e saj në lidhje me ish ministrin Tahiri duke e lënë në “arrest shtëpie”.

Tahiri dyshohet për dy vepra, trafikim të narkotikëve në bashkëpunim dhe korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.

“Urdhërohet shtetasi nën hetim Saimir Bashkim Tahiri të mos largohet nga banesa e tij, ndodhur në Tiranë, Rruga “Kodra e Diellit”, Pallati Nr.3”- ka njoftuar Prokuroria

Pak ditë më parë, ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dorëzoi edhe mandatin e deputetit për t’u hetuar si qytetar i zakonshëm.

Vendimi për Saimir Tahirin solli reagime të menjëhershmë nga e gjithë klasa politike.

Kryeministri Rama shkruan në Facebook “Vendimi i sotëm për Saimir Tahirin nuk komentohet, thjesht respektohet si një e drejtë e organeve të drejtësisë, të cilat i detyrohen vendit e botës një proces të pavarur, transparent e me integritet të plotë kushtetues e profesional, duke garantuar drejtësi jashtë çdo influence politike, mediatike a diplomatike”.

Në reagimin e tij, kreu i PD, Basha shkruan se loja Rama -  Tahiri vazhdon dhe vendimi “arrest shtëpie” nuk është i drejtësisë, por vendim politik i Ramës, të cilin selia e blu e paralajmëroi tre ditë më parë.  

“Saimir Tahiri duhet të ishte sot në qeli dhe jo në arrest shtëpie. Qeveri partnere kanë sjellë javët e fundit të tjera prova që rikonfirmojnë se Saimir Tahiri ishte pjesë aktive e organizatës kriminale të Habilajve për trafikun e drogës”- shkruan Basha në rrjetin social Facebook duke vijuar akuzat edhe për lëvizjet në Prokurori, për të cilat kreu i PD thotë që janë të paligjshme dhe kanë qëllim mbylljen e dosjes Tahiri.

“Tahiri nuk burgoset dhe as nuk dënohet sepse e mbron dhe e ruan Rama, se Tahiri dhe Rama janë një” – mbyll reagimin e tij kreu i demokratëve.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi shkruan në reagimin e saj në Facebook “Tashmë drejtësia vdiq plotësisht për t’ia lënë vendin përballjes së bandave dhe grupimeve në PS. Tashme padrejtësia është përballë popullit, sepse drejtësia ka mbetur peng në duart e Edi Ramës dhe bandës së tij”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë