Lajme

Prokuroria, kërkesë noterëve: Njoftoni nëse Kajmaku paraqitet për prokurë

Pas shpalljes në kërkim të ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, Prokuroria e Tiranës i është drejtuar me një shkresë Dhomës së Noterisë ku kërkon nga noterët që të njoftojnë nëse Kajmaku paraqitet për të bërë ndonjë prokurë.
“Nëse noterët nuk njoftojnë në rast se avokati i Kajmakut paraqet prokurë do të mbajnë përgjegjësi ligjore”, thuhet në shkresën e prokurorisë.
Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhër-arresti për Agim Kajmakun ish-kryebashkiakun e Vorës të shkarkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas deklarimit të rremë në formularin e dekriminalizimit.
Pas denoncimeve të PD Prokuroria e Përgjithshme kreu verifikimet ku doli me konkluzionet se Agim Kajmaku ka fshehur arrestimin dhe më pas hetimin në Greqi me një emër tjetër, Jorgo Toto, duke bërë që ai të jetë në kushtet që e kap ligji i dekriminalizimit.
Për këtë arsye, ai mund të paraqitet te noteri për t’i dhënë prokurë avokatit për ta përfaqësuar.
Agim Kajmaku akuzohet për shpërdorim detyre, falsifikim formularësh dhe kryerje të funksionit pas shkarkimit nga detyra. Pas shkarkimit si kryebashkiak, Agim Kajmaku kishte firmosur largimin nga detyra të dy nënkryetarëve të bashkisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë