Lajme

Prokuroria humb 3 procesverbale, shtyhet sërish gjyqi i ish-ministrit Tahiri

Është shtyrë për herë të tretë seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Arsyeja këtë herë ka qenë se prokuroria nuk ka gjetur 3 procesverbale. Procesverbalet që kanë humbur janë përkthimet në gjuhën shqipe të tre të pandehurve që po përballen me drejtësinë italiane, Moisi Habilaj, Nezar Seiti dhe Meridjan Sulaj. Seanca e radhës u caktua më 22 korrik në orën 11:00, ku prokurorët do të paraqesin përkthimet.
Jashtë dyerve të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka shpërthyer me akuza të forta ndaj drejtësisë shqiptare.
Tahiri deklaroi se me këto letra deshën ta arrestojnë, ndërsa tani thonë se janë zhdukur. Ndër të tjera, ish-ministri paralajmëroi se herët ose vonë do ia dalë.
“Ky proces është shtyrë për të tretën herë, edhe një çerdhe është me e organizuar se kaq. Nuk e di sesi mund të humbasin letrat në Prokurori, dhe nuk di sesi mund të vazhdohet kështu dhe se çfarë serioziteti ka.
Nuk dua ta di nëse është e qëllimshme apo gabim njerëzor, por kjo është qesharake. Nëse është e qëllimshme, është shumë banale. Me këto letra desh më arrestuan, si ndodh që tani nuk i kanë, u zhdukën. Nuk dua të spekuloj, se ka shumë variante, janë njëri më i keq se tjetri. Unë di që do ia dal, herët a vonë. Keni për ta parë”, tha ndër të tjera ish-ministri Tahiri.
Tahiri akuzohet për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes “Habilaj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë