Rend dhe Ligj

Dosja Avdulaj, prokuroria do verifikoj sesi kanë lëvizur CD-të dhe DVD-të

Prokuroria, pas daljes së kryekomisionerit Ulsi Manja ku kërkohet nisja e hetimit, ka dalë me një deklaratë për median ku deklaruar se është vënë në lëvizje për të nxjerrë para përgjegjësisë personat që kanë kryer këtë shkelje të nxjerrjes së sekretit hetimor. Me anë të një njoftimi për mediat, thuhet se kanë nisur hetimet për të vënë para përgjegjësisë ata që kanë nxjerr përgjimet, një pjesë e të cilave u publikuan sot nga gazeta gjermane ‘Bild’.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë ka nisur hetimet në lidhje me të dhënat e publikuara mediatikisht, për çështje të hetuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Renda. Hetimet e filluara kryesisht synojnë të nxjerrin në pah, arsyet e publikimit në mënyrë të paligjshme të këtyre përgjimeve që i përkasin çështjes nr. 339. Prokuroria do të ndjekë me vëmendje rastin duke kryer veprime konkrete për zbardhjen e çështjes”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Reagimi i gazetarit gjerman

Për këto qëndrime, si dhe për deklarata e lëshuara nga ana e kryekomisionerit socialist Ulsi Manja ka reaguar edhe gazetari gjerman Peter Tiede. Në një reagim në Facebook, Tiede shprehet se deklarata e Prokurorisë vërteton se audiopërgjimet janë autentike. “Siç e dini, disa materiale të përgjimit nga dosja 339 që ende janë në hetim janë bërë publike, nuk do të flas për hetimin dhe fatin e personave të përmendur. Jam i shqetësuar për dy gjëra për akuzat Publike të Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore për të vlerësuar seriozisht çështjen e zbulimit publik të sekreteve hetimore, për të hetuar se cilët prokurorë dërguan përgjimin në zyrat e PD-së”, shkruan Tiede.

Gjithashtu ai shprehet se “për shkak se Shqipëria është përmbysur përsëri për shkak të një artikull timin - dhe shpirtrat e këqij të qeverisë po përpiqen të më nxjerrin gënjeshtar, unë i jam veçanërisht mirënjohës Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Tiranë, e cila, konfirmon qartë vërtetësinë e përmbajtjes së regjistrimeve të përgjimit, të cilat i kemi bërë publike sot. Zyra në fjalë paralajmëron të bëhet kujdes në publikimin e dosjeve (regjistrimeve audio), pasi bëhet fjalë për materiale nën hetim dhe të Prokurorisë”.

Reagimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda

Më pas erdhi edhe reagimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda e cila njofton se  Prokuroria pranë Gjykatës Shkallës së Parë Per Krime te Renda Tirane, pasi u njoh me përmbajtjen e të dhënave të nxjerra në disa media të ndryshme sot njofton se: “Më datë 26.10.2018 në kuadër të procedimit penal nr 339 të vitit 2016 të regjistruar për veprat penale të “ Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të Narkotikëve” “ Grupit të strukturuar kriminal” si dhe “ Kryerjes së veprës penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, ka regjistruar dhe hetimin për veprën penale të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” parashikuar nga neni 295/a/3 i Kodit Penal”.

Ky hetim është regjistruar pasi në disa media janë publikuar të dhëna sekrete që dëmtojnë rëndë hetimin e procedimit penal. “Më datë 01.02.2019 nga ana e Drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, është vendosur që ky hetim të kryhet nga grup hetimorë i përbërë nga tre prokurorë, duke i shtuar grupit hetimorë ekzistues dhe një prokuror dhe një oficer tjetër të policisë gjyqësore të Prokurorisë, për rritjen e efikasitetit të hetimit.

Gjithashtu në kuadër të këtij procedimi penal bëhet e ditur se po hetohet edhe për vepra të tjera penale si “Korrupsioni aktiv/pasiv i funksionarëve të lartë, ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga nenet 245 dhe 260 të Kodit Penal, duke nënkuptuar dhe për shitblerjen e votave.

Prokuroria e Krimeve të Rënda

“Në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet edhe për veprat penale “Korrupsion aktiv/pasiv në zgjedhje” parashikuar nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal, pasi gjatë hetimit të procedimit penal janë konstatuar të dhëna për dyshime për përfshirje të përfaqësuesve vendorë të subjekteve të ndryshme politike të gjithë spektrit politik në vend ne zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 në qarkun e  Durrësit dhe të Lezhës. Ju bëjmë me dije se për ushtrimin e ndjekjes penale të këtij procedimi penal për shkak të kompleksitetit të tij, janë ngarkuar 3 prokurorë dhe 10 oficerë të policisë gjyqësore të cilët po vijojnë kryerjen e veprimeve hetimore në dinamikë”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Faktet e publikuara ditën e sotme në mediat sipas Prokurorisë dëmtojnë rëndë vijimin e ndjekjes penale të këtij procedimi penal aq më tepër kur hetimet nga ana jonë janë intensifikuar.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke u ndodhur përpara një rasti të paprecedentë, të përsëritur të shkeljes së rëndë të ligjit njofton se po kryen me intensitet hetimet për të vënë përpara përgjegjësisë penale cilindo prokuror, oficer policie gjyqësore apo subjekte të tjera që kanë abuzuar rëndë me detyrën duke bërë publikimin e akteve përpara se të kryenin detyrën e tyre.

“Në vlerësimin tonë kjo është bërë me qëllim pengimin e hetimit, paragjykimin e tij si dhe komplikimin e mëtejshme të hetimeve në këtë procedim penal. Aktualisht njoftojmë opinionin e gjerë se Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë, është drejt zbardhjes së plotë të të gjitha fakteve penale dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të çdo vepre penale që do të konkludohet nga ana e prokurorëve se është kryer në kuadër të këtij procedimi penal ashtu sikurse nuk ka hezituar të godasë dhe subjekte të tjera të përfshirë në krimin e organizuar në kuadër të procedimeve të tjera penale”, mbyll njoftimin Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Arta Marku: Hetim ndaj prokurorëve të çështjes

Kryeprokurorja Arta Marku me anë një të një deklarate për shtyp bën të ditur se ka nisur hetimin për mënyrën se si kanë lëvizuar CD-të e përgjimeve nga prokurorët e çështjes.

“Prokurori i Përgjithshëm i bën thirrje prokurorisë kompetente që të hetojë me shpejtësi nxjerrjen në publik të akteve që përbëjnë sekret hetimor dhe të vihet para përgjegjësisë penale kushdo, prokuror, oficer i policisë gjyqësore apo dikush tjetër që ka poseduar për shkak të ligjit CD-të dhe në vend që të ushtronte funksionet ligjore dhe të kryente hetimin objektiv, ka bërë publikimin e tyre. Prokurori i Përgjithshëm njofton opinionin publik se ka filluar një verifikim administrativ të mënyrës sesi kanë lëvizur CD-të dhe DVD-të, si dhe çdo material tjetër përgjimi, nga Zyra e Përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, në drejtim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda”, thuhet në reagimin për shtyp.

Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm, në zbatim të kompetencave aktuale njofton se ka miratuar udhëzimin nr.4, dt.26.10.2018 “Për përgjimet” ku përcaktohen në detaje rregullat për ruajtjen e sekretit të përgjimit. Nxjerrja e sekretit ka ardhur sipas Makrut, jo si pasojë e mungesës së ligjeve apo akteve nënligjore dhe administrative, por për arsye të tjera larg çdo norme ligjore apo morale.

MARKU PREZANTON RAPORTIN VJETOR NE KOMISIONIN E LIGJEVE

“Prokurori i Përgjithshëm ndjehet i indinjuar që në radhët e prokurorisë akoma militojnë prokurorë apo punonjës të tjerë që janë gati që për interesa të vogla personale të bëjnë pazar me cdo dosje penale duke kontaminuar opinionin publik me informacione të pahetuara dhe të paverifikuara nga ata vetë si autoritete përgjegjëse për hetimin dhe verifikimin e tyre”, thuhet në deklaratën e kryeprokurores Marku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë