Rend dhe Ligj

Prokuroria e Kavajës nis hetimet për pasojat e tërmetit

Pas Tiranës dhe Durrësit edhe prokuroria e Kavajës ka nisur hetimet për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

Ajo njofton se kërkon informacion të hollësishëm për evidentimet e dëmtimeve nga tërmeti.

Sipas saj, nëpërmjet një shkrese zyrtare drejtuar tre institucioneve; Bashkisë Kavajë, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Komisariatit të Policisë Kavajë ajo kërkon informacion të hollësishëm mbi evidentimin e dëmeve të objekteve apo për persona të lënduar nga ky tërmet.

Prokuroria kërkon të informohet nga institucionet të cilave u është drejtuar me shkresë për çdo rast të evidentuar, të dëmtimt të ndërtesave të cilat kanë krijuar probleme dhe pasojë në shëndetin e njerëzve, po ashtu edhe të dëmtimeve që rezultojnë për shkak të shkeljeve të elementëve teknikë të ndërtimit të cilat konsiderohen si të papërshtatshme për banim duke ju referuar zbatimit të projekteve, rastet kur do të vendoset mospërdorimi i tyre për shkak të rrezikshmërisë dhe shembja e tyre etj.

Këto informacione prokuroria e Kavajës i kërkon me qëllim nisjen e hetimeve për rastet që do të rezultojnë me shkelje në lidhje me ndërtesat e dëmtuara për të nxjerrë përgjegjësitë e kompanive ndërtuese, projektuesve dhe institucionet që u kanë dhënë hipotekën banesave që nuk kanë asnjë kusht sigurie.

Veprat penale për të cilat po hetohen janë “Shpërdorim detyre”, “Ndërtim i paligjshëm”, dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë