U zhvillua sot seanca dëgjimore me prokurorin e Apelit të Tiranës, Luan Kaloçi. Ai ishte i pranishëm bashkë me avokatin e tij, Ardian Visha.
Trupa gjykuese e përbërë nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari si dhe Etleda Çiftja, ka lexuar raportin për Kaloçin, i cili është një nga kandidatët për në KLP.
KPK bazuar te deklarata e ILDKPI-së, pohon se Kaloci ka mungesë burimesh financiare, ka deklarim të rremë dhe ka fshehje pasurie.
Ndërkohë, KPK kreu hetim vetëm për kriterin e pasurisë. Sakaq, KPK tha se nga hetimi rezultoi se apartamenti 145 m2, vlera e deklaruar është 52 mijë dollarë.
Nga analiza e bërë në deklarimet në vite dhe dokumentacioni i siguruar nga KPK kishte mospërputhje. Prokurori si fillim është shprehur se për blerje përdori paratë që përfitoi nga shitja e shtëpisë në Elbasan, ndërsa në deklaratën e vetingut thuhet se e bleu me kredi. Ndërkohë, ka edhe mospërputhje për sipërfaqen si dhe për burimin e të ardhurave, me të cilat ka blerë dyqanin.
Vetë prokurori kishte deklaruar se apartamentin e kishte blerë me paratë e përfituara në lotari sportive dhe dy hua, ndërsa më pas ai tha se e kishte blerë pas shitjes së banesës në Elbasan.
KPK konstaton se Kaloçi nuk ka deklaruar tri llogari bankare dhe një automjet që është blerë nga vajza e tij.
Sakaq, avokati i prokurorit, Ardian Visha tha se Kaloçi ka vetëm një shtëpi dhe një garazh, ndërsa shtoi se bëhet fjalë për një pasuri modeste. “E pranojmë që ka lapsuse në deklarata. Por nuk ka mosjustifikim të pasurisë. Kaloçi vazhdon të paguajë kredi, i biri ka fituar një lotari”, tha Visha.
Prokurori Kaloçi u pyet nga vëzhguesi ndërkombëtar për marrëveshjen fiktive për shtëpinë dhe ai e pranoi që në atë kohë kishte informalitet dhe ishte i zakonshëm.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori i Apelit, Luan Kaloçi, zotëronte pasuri me vlerë 10 milionë lekë në vitin 2003 kur deklaroi pasurinë e tij për herë të parë. Sipas deklaratës së vitit 2003, prokurori Kaloçi zotëronte një apartament banimi në Tiranë të blerë në vitin 2000 për 4.2 milionë lekë si dhe një dyqan me vlerë 5.8 milionë lekë që ka si burim të deklaruar bastet sportive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.