Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar seancën dëgjimore për prokurorin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, Arben Dollapaj. Hetimi i thelluar për prokurorin Dollapaj është kryer nga trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj dhe me anëtarë Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici. Prokurori Dollapaj ka qenë vetë i pranishëm në seancë pa praninë e avokatit.
Sipas raportit të ILDKPKI-së, ka bërë deklarim të saktë të pasurisë.
Në hetimin e thelluar të KPK-së, Dollapaj rezulton se ka një apartament me sipërfaqe 76 m2 në Bajram Curri; një shtëpi banimi me sipërfaqe 113 m2 në Selitë të vogël me vlerë 9 milionë lekë; shtëpi banimi në ndërtim e sipër në Valbonë dhe dy llogari bankare. Gjithashtu rezulton se ka edhe një kredi prej 5 milionë lekësh.
Lidhur me shtëpinë në Tiranë të blerë në vitin 2011, prokurori ka deklaruar si burim financiar kursimet personale dhe një hua nga kunati prej 25 mijë $.
Pra, ka bërë deklarim të saktë dhe nuk ka fshehje pasurie. Edhe raporti mbi pastërtinë e figurës, i ofruar nga DSIK rezulton pozitiv për prokurorin e Apelit të Shkodrës.
Arben Dollapaj e ka filluar karrierën në vitin 1993. Në vitin 2003, ai ka qenë prokuror në Durrës, ndërsa në vitet 2004-2008 ka shërbyer si prokuror i Prokurorisë së Rrethit Tiranë.
Në vitet 2008-2016, Dollapaj ka shërbyer në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka mbajtur funksionet e drejtorit të Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore si dhe drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore dhe Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Në vitin 2016, Dollapaj u transferua në Prokurorinë e Apelit të Shkodrës pas një përplasjeje publike me ish-kreun e Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla. Ai e cilësoi këtë vendim si “hakmarrje” dhe ngriti padi në Gjykatën Administrative të Apelit duke kërkuar shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës dhe të vendimit të Prokurorit të Përgjithshëm si dhe rikthimin e tij në vendin e mëparshëm të punës në Prokurorinë e Përgjithshme.
Paralelisht me detyrën si prokuror, Arben Dollapaj ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Prokurorisë si dhe ekspert trajnues në Shkollën e Magjistraturës.
Është kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.