Rend dhe Ligj

Përplasja e fundit në një prag skandali

Dhjetë Prokurorët e Krimeve të Rënda që u përplasën fillimisht me drejtuesen e tyre, Donika Prela dhe më pas edhe me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët.

Prokurorët Përparim Kulluri, Behar Dibra, Sonila Muhametaj, Olsian Çela, Edvin Kondili, Arenc Çela, Pranvera Pustina, Eugen Beçi, Besim Hajdarmataj dhe Blerim Tominaj thonë në letrën e përbashkët se janë njoftuar më datë 18 shtator përmes telefonit për një mbledhje që do të zhvillohej po atë ditë në orën 15:00, por pa u njohur me objektin e mbledhjes.

Sipas prokurorëve, mbledhja e thërritur nuk përmbushte kërkesat ligjore.

“Njoftimi për mbledhje nuk ishte konform kërkesave ligjore në fuqi dhe vinte në kundërshtim me nenin 56 të ligjit nr.97 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” , i cili kërkon që mbledhja të njoftohet të paktën 3 (tre) ditë përpara, së bashku me rendin e ditës’, deklarohet në letër.

Mbledhja u shty për në orët e paradites së 19 shtatorit dhe në këtë mbledhje drejtuesja Donika Prela u ka komunikuar se objekti i këtij takimi ishte hedhja e shortit për dosjen ‘Shullazi’.

“Sqarojmë këtu se, në asnjë moment nuk na është bërë i ditur urdhëri për zëvendësimin e prokurorëve në fjalë së bashku me shkaqet ligjore përkatëse. Për hir të qartësisë, çështja në fjalë, ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare”, thuhet më tej.

Sipas grupit të 10 prokurorëve, kërkesa për hedhjen e shortit ishte një kërkesë e habitshme, pasi ata thonë se prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi vazhdonin të ishin prokurorë të çështjes e për më tepër, prokurori Besim Hajdarmataj një ditë më parë dhe përmes një akti me shkrim kishte shprehur vullnetin Donika Prelës për të vazhduar përfaqësimin e çështjes “Shullazi”.

Hedhja e shortit dhe caktimi i 4 prokurorëve për këtë çështje, cilësohet nga 10 prokurorët si rikthim në fazën fillestare të procesit.

“Hedhja e shortit dhe ideja vijuese për krijimin e një grupi hetimor prej 4 (katër) prokurorësh në gjykimin e një çështjeje penale, vinte në momentin kur çështja në fjalë ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare, dhe grupet hetimore krijohen në fazën e hetimit dhe jo në fazën e gjykimit, aq më pak në fazën e diskutimeve përfundimtare”, thotë deklarata.

Dhjetë prokurorët thonë se kërkesa bie ndesh me nenin 6 të ligjit për funksionimin e Prokurorisë, cenon pavarësinë, integritetin e prokurorëve, aq më tepër në në një fazë të tillë të procesit, kur hetimi, akuzat, debati gjyqësor, qëndrimet mbi vlefshmërinë e provave dhe vlera e tyre provuese ishin kryer nga prokurorë të tjerë të çështjes.

Prokurorët që iu kundërvunë Donika Prelës dhe Arta Markut thonë se argumentimet e tyre ligjore kanë hasur në veshin e shurdhër të drejtueses së Prokurorisë për Krimet e Rënda.

“Drejtuesja e komanduar e Prokurorisë për Krimet e Rënda kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të debatit, duke nisur procedurën e hedhjes së shortit”, thuhet në letër.

Pikërisht ky ka qenë momenti kur 9 prokurorë janë larguar nga salla. Në të njëjtën ditë, sipas tyre, grupi i 10 (dhjetë) prokurorëve u njoh me njoftimin e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, për nisjen e një procesi disiplinor kundër tyre vetëm nëpërmjet mediave. Sipas tyre, procedimi është antiligjor.

“Prokurori i Përgjithshëm nuk ka kompetenca për të nisur procedim disiplinor deri në krijimin e organeve të reja”, thuhet në reagim.

Dhjetëshja e prokurorëve kundërshtojnë si antiligjor edhe transferimin e disave prej tyre nga Arta Marku.

“Në vijim, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme ka urdhëruar transferimin e përkohshëm në Berat, Pogradec dhe Kukës të prokurorëve Olsian Çela, Besim Hajdarmataj dhe Sonila Muhametaj. Për të garantuar pavarësinë e magjistratëve dhe mbrojtjen nga presionet mbi punën e tyre, ligji nuk lejon asnjë transferim apo komandim të magjistratëve pa pëlqimin e tyre. Përmes këtij veprimi antiligjor me natyrë ndëshkuese, cenohet tërësisht pavarësia e magjistratëve duke krijuar një precedent të rrezikshëm pasi e kthen organin e prokurorisë në modelin e vjetër hirearkik dhe të centralizuar”, vazhdon letra.

Deklarata në fjalë u është shpërndarë mediave, zyrës së Bashkimit Europian në Tiranë, misionit PAMECA dhe Ambasadës së SHBA në Shqipëri.

Reagon Arta Marku: Akuzat spekulim. Ndryshojnë prokurorët edhe të dosjes “Tahiri”

Nëse grupi i 10 prokurorëve që e kundërshtojnë vendimin e saj për të rihedhur shortin për prokurorët e çështjes “Shullazi” iu drejtua mediave dhe përfaqësive ndërkombëtare në Tiranë, vetë Arta Marku iu drejtua qytetarëve shqiptarë në reagimin e saj.

Në rreshtat e parë të deklaratës, Kryeprokurorja e quan “një situatë absurdi dhe e pahijshme që është tentuar të krijohet në Prokurorinë më të rëndësishme të vendit, Prokurorinë për Krime të Rënda”, si rezultat i “frikës për t’u përballur me krimin”

“Me përgjegjësinë e detyrës që më ka ngarkuar Kushtetuta dhe ligji, kam detyrimin institucional dhe qytetar për të komunikuar dhe ndarë me ju dhe me këdo që i do të mirën këtij vendi, por edhe miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë që asistojnë punën e institucionit të Prokurorisë në të gjitha nivelet, të vërtetën e kësaj situate të sajuar nga frika e përballjes me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pa dallim”, thotë ajo.

Për shkeljet e gjetura tek vartësit e saj i referohet fillimisht Kushtetutës.

“Këta prokurorë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin që i detyron të jenë pjesë e shortit, për sa kohë janë prokurorë të asaj prokurorie, duke vepruar në kundërshtim të hapur me detyrimin kushtetues, sipas të cilit “Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit…”, thotë ajo.

Më pas, Arta Marku, pasi shpreh vendosmërinë e saj për në ushtrimin e detyrës, megjithëse e thekson se vetë është me mandat të përkohshëm, njofton se për çështjen “Shullazi” është gjetur grupi i prokurorëve, ndërsa për dosjen “Tahiri”, ajo do të hetohet që nga regjistrimi si çështje nga katër prokurorë të tjerë.

“Për çështjen Shullazi ku një grup i caktuar prokurorësh refuzuan të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe ligjore, është caktuar një grup prokurorësh për të përfaqësuar akuzën në gjykim. Po ashtu, një grup tjetër prej 4 prokurorësh po merret me çështjen Tahiri, nga momenti i regjistrimit të saj”, thotë ajo.

Në fund, Arta Marku hedh poshtë si spekulime pretendimet e grupit të prokurorëve që e sfiduan duke mos marrë pjesë në short.

“Gjithcka tjetër është spekulim dhe frikë nga përballja me krimin e organizuar. Prokurorët e ndershëm që ka Shqipëria sot, më shumë se kurrë, kanë nevojë jo vetëm për mbështetjen time, por edhe tuajën dhe unë jam e bindur se jemi në anën e duhur, jemi në anën e të mirës”, deklaron kryeprokurorja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë