Rend dhe Ligj

Prokurorët në Katania për Habilajt, do pyeten për Tahirin

Një letërporosi ndërkombëtare për t’u lejuar marrjen në pyetje të 3 të paraburgosurve. Dita vendimtare do të jetë e mërkura, pikërisht atëherë kur prokurorë nga Krimet e Rënda të Tiranës, me në krye ndoshta Besim Hajdarmatajn, do të zbresin në aeroportin “Fontanarossa” për t’iu drejtuar më pas institucionit penitenciar të Bicoccas.

Një udhëtim ky që ka për objektiv parësor atë të sigurimit të informacioneve të nevojshme mbi hetimin e nisur në anën tjetër të Adriatikut, që ka lidhje me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i vendosur nën akuzë, e më pas në arrest shtëpiak, për të fituar ditën e sotme sërish lirinë, gjithçka për shkak të kushëririt të tij Moisi Habilaj, të arrestuar dhe që pritet të dalë për gjykim pas 3 ditësh në Itali.

Habilaj konsiderohet nga Prokuroria e Katanias, si dhe hetuesit e grupit policor të “Guardia di Finanza”-s, si truri i narkotrafikut dhe armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Italisë. Trafik ky që ofronte dhjetëra milionë euro, të cilat do të ndaheshin në të njëjtën tryezë mes shqiptarëve dhe pjesëtarëve siçilianë të “Cosa Nostra”-s.

Hetimi italian, i mbyllur zyrtarisht dhjetorin e shkuar, do të nxjerrë në proces gjyqësor 15 persona, ndërsa seanca e parë është caktuar për më 31 maj. Në disa përgjime, të zbuluara nga media italiane “MeridioNews”, trafikantët i referoheshin pikërisht politikanit socialist. Një lidhje e supozuar, të cilës i bashkëngjitet edhe një automjet i përdorur nga narkotrafikantët për udhëtime dhe i regjistruar nën emrin e Tahirit, i cili gjithsesi është betuar t’ia ketë shitur një kushëriri tjetër, të po të njëjtës familje, Habilaj.

Ata që do të merren në pyetje nga prokurorët shqiptarë do të jenë edhe Meridian Sulaj dhe Nezar Seiti. Ky i fundit u ekstradua në Itali mes polemikave, pasi u kap nga policia shqiptare në Vlorë. 41-vjeçari, edhe pse pa dëshirën e tij, u bë protagonist në Shqipëri i një njoftimi, i cili rezultoi i rremë, se kishte pranuar të bashkëpunonte me prokurorët e Prokurorisë së Katanias. Aktualisht ai mbahet në burgun e Rebibbias, në Romë.Kriza qeveritare që përjetohet në Shqipëri, pas hetimit të mbiquajtur “Rosa dei venti”, duket se nuk njeh ndalesa. Hetimi i Tahirit ka nisur me kërkesën për arrestimin e tij, kërkesë që u refuzua nga Parlamenti. Plot 48 orë pasi kushëririt të tij, Moisi Habilaj, iu vunë prangat në Itali, ndërkohë që në arrati mbetet vëllai i tij Florian Habilaj, ish-deputeti socialist tregoi një dokument me “kokë” të titulluar nga Prokuroria e Katanias, me anë të të cilës tregonte se nuk kishte asnjë hetim në ngarkim të tij në Itali. Në fakt, ajo ishte një letër me shumë ndryshime nga ato që jepen tradicionalisht nga zyrat e drejtësisë siçiliane. Kapitulli i fundit i kësaj historie nisi më 12 maj, kur ish-ministri i Brendshëm përfundoi në arrest shtëpiak, por që iu revokua mesditën e kësaj të hëne.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë