Lajme

Projekti për transformimin e Piramidës në qendër teknologjie

Në Tiranë u prezantua projekti i transformimit të Piramidës në një qendër të madhe për Teknologji Informacioni. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se punimet për këtë projekt do të fillojnë dy muajt e ardhshëm. Sipas Veliaj, puna e përbashkët mund ta shndërrojë këtë projekt ambicioz në një histori të vërtetë suksesi.
“Unë besoj se kemi mjaftueshëm përvoja, tani që është bërë bashkë ky komunitet, mendoj që kemi përbërësit për një tjetër histori suksesi. Kur ne shqiptarët punojmë mund të kemi mrekulli të tjera. Ne kemi bërë pak konture para piramidës, kemi parë si mbushet me jetë gjithë ajo alternativë. Për sa i përket kalendarit të punimeve, ato do të fillojnë në dy muajt që vijojnë. Mbaj mend “Pazarin e ri” që mori alternativat e punimeve. Ne gjithë kthehemi në një skuadër supervizorësh”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Ndërsa kryeministri Rama, entuziast për këtë projekt, tha se janë dashur 15 vite që të arrihej në këtë ditë, kur projekti të ishte gati për të nisur punën.
Kreu i qeverisë e cilësoi si një projekt interesant dhe tha se është ndër më pak të kushtueshme.
“Është një projekt ambicioz dhe nuk është i shtrenjtë. Më vjen mirë që pavarësisht se është ndër projektet më pak të shtrenjta, do jetë një ndër projektet më të bukur, ose më saktë më interesant. Dhe kjo për faktin se kombinon një arkeologji të së shkuarës me gjithë kapacitetin për të ndërtuar të ardhmen”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri nuk la pa përmendur edhe kohën kur qeveria e Berishës donte ta prishte Piramidën.
“Ka pasur një moment kur një qeveri më parë vendosi ta shembte Piramidën. Ka pasur një debat publik, madje u krijua edhe një masë kritike të rinjsh që shumë më pak kishin lidhje me periudhën e shkuar që nënshkruan një peticion për të mos e shembur”, tha kreu i qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë