Art dhe Kulture

Projekti ‘Art në hapësirat publike’/ Hapet konkursi për 18 vepra në të gjithë Shqipërinë

Nga Gazeta Si - Hapet konkursi për nismën më të re të qeverisë shqiptare, “art në hapësirat publike” për realizimin e veprave të artit në hapësira publike.

Nisma e cila synon rivitalizimin e hapësirave publike në vend u prezantua nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti nën praninë e artistëve pamorë.

Kryeministri Rama në fjalën e tij theksoi se dëshiron që kjo nismë të jetë e përvitshme dhe afatgjatë.

Projekti përfshin 18 hapësira  publike të përcaktuara nga Ministria dhe ARRSH.

Rama shpjegoi se do të ketë tri projekte fituese nga artistë ose grupe artistësh, të cilët pas fitimit të këtij fondi të përcaktuar do t’i japin një dorë rivitalizimit të jetës në komunitet.

“Qëllimi është që të ndërhyjmë në hapësirat publike duke krijuar një impakt. Objektivi apo ambicia është që ky të jetë një program i përvitshëm i qeverisë. Synimi është që të shtrihet jo vetëm në hapësirat publike siç janë në këtë rast, kryesisht të infrastrukturës rrugore, por edhe në hapësirat e jashtme dhe të brendshme të institucioneve. Është një program që do kërkojë edhe testin e eksperiencës për të parë se si do ecë, çfarë mund të përmirësohet etj. Unë kam shumë besim që me përfshirjen e artistëve që kanë talentin e duhur, impakti në hapësirën publike dhe në gjithë ato pika që janë në mes të njerëzve do të jetë i rëndësishëm”, u shpreh kryeministri Rama në prezantimin e nismës.

Kryeministri theksoi se kjo do të stimulojë energji pozitive në territor.

“Duke qenë vetë besimtar i së bukurës, nuk kam se si të dyshoj edhe në impaktin që do të ketë kjo nismë”.

Fondi për këtë projekt është 200 milionë lekë. Ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti shpjegoi të gjitha fazat sesi do të funksionojë. Margariti bëri me dije se janë përcaktuar 18 lokacione për këtë vit për veprat artistike. Aplikimi do të bëhet online në faqen e Ministrisë së Kulturës, deri më datë 7 gusht, më pas juria do të vlerësojë aplikimet deri më 28 gusht dhe fituesit do të shpallen më 2 shtator. 1 aplikant ka të drejtë të propozojë vetëm tre ide.

“Është një nismë shumëplanëshe që e kemi diskutuar me kryeministrin, një ide e tij për të sjellë rikualifikim jo vetëm artistik por edhe urban të hapësirave publike. 200 milionë lekë, fond gjeneroz, që i është besuar ministrisë së Kulturës. Kjo nismë vjen edhe si një bashkëpunim i disa institucioneve për t’i dhënë vlerë edhe identitetit lokal, por për të sjellë edukim përmes artit. E kemi nisur në bashkëpunim me institucione të ndryshme publike edhe me profesionistë të ndryshëm. Kemi pasur bashkëpunim me ARRSH për të identifikuar pika që mund të zhvillohen. Kemi identifikuar 18 lokacione në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm mbikalime, rrethrrotullime, kemi edhe një qendër spitalore. Thirrja çelet në ëebsite-in e Ministrisë së Kulturës, e shpallim sot dhe çdo aplikant mund të paraqitet deri me tri vepra, mund të zgjedhë tri lokacione. Faza parë zgjat 45 ditë, deri më 7 gusht. Bëhet vlerësimi i ideve më pas mblidhet juria dhe përcakton një shortlist. Faza e dytë deri më 28 gusht. Më 2 shtator kemi shpalljen e fituesve”, shpjegoi ministrja Margariti.

Në përfundim kryeministri siguroi të pranishmit se programi nuk është një shkrepje e vetme, por vetëm fillimi i një procesi që dëshiron të jetë afatgjatë dhe i përvitshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë