Ekspozite

Projekti ‘Art në Hapësira Publike’, shtyhet afati për mbylljen e fazës së parë të konkursit

Nga Gazeta Si - Shtyhet afati për mbylljen e fazës së parë të Konkursit Ndërkombëtar: “Art në Hapësira Publike” deri më 19 gusht.  

Ministria e Kulturës njofton se shtyrja është bërë për shkak të sulmit kibernetik në sistemin online qeveritar, në mënyrë që të rikuperohen pengesat e hasura nga aplikuesit, gjatë ditëve të mosfunksionimit të adresave zyrtare.

Faza e parë e këtij konkursi, ajo e dorëzimit të dosjes së aplikimit dhe projekt-idesë ishte parashikuar të mbyllej në datën 7 gusht 2022. Pas kësaj shtyrjeje, afati i fundit i aplikimit do të jetë data 19 gusht 2022.

Ministria thotë ndër të tjera se “Art në Hapësira Publike” është një nismë shumëplanëshe, për të cilën qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej rreth 200 milionë lekësh.

“Përmes kësaj nisme synohet vendosja e një sistemi kriteresh të sakta, në bashkëpunim me institucione të tjera, si Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Kombëtare të Planifikimit të Territorit, pushteti lokal etj., për të respektuar kodin rrugor, planet e përgjithshme urbane, projektet e reja në infrastrukturë, mjedisin, por edhe identitetin e zonës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Kjo nismë e qeverisë do të angazhojë artistë shqiptarë e të huaj të arteve pamore, arkitektë, dizajner, inxhinierë ndriçimi etj.

“Nga ana tjetër do të ndikojë në përmirësimin e imazhit të hapësirave publike, gjithnjë duke iu përshtatur karakteristikave të zonës, në mënyrë që ato të jetë sa më atraktive dhe të jenë një vlerë e shtuar për hapësirën ku do të ngrihen”, vijon më tej njoftimi.

Janë identifikuar 18 hapësira publike (1 institucion publik - spital), 12 rrethrrotullime, 4 mbikalime, 1 nyje infrastrukturore) nga Veriu në Jug.

Janë më së shumti rrethrrotullime, institucione publike apo mbikalime, si dy rreth rrotullime në Koplik, dy në Bajzë, Divjakë, Grabian, Kavajë, mbikalimi te “Plepat”, mbikalimi te “Pallati me shigjeta”, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” etj.

Në fazën I aplikanti paraqet projektidenë dhe dosjen e tij (jetëshkrimin, një shprehje interesi, një vetëdeklaratë mbi të drejtën e autorit).

Në fazën II, në rast përzgjedhjeje aplikanti duhet të dorëzojë projektin e detajuar (teknik, arkitektonik, të sistemimit të mjedisit përreth, konstruktiv, elektrik, hidtroteknik etj.), preventivin e detajuar, fazat e realizimit të veprës etj.

Artistët mund të aplikojnë me 3 projektide, për 3 lokacione të ndryshme.

Shpërblimi për artistët fitues do të jetë 700, 000 lekë.

Vendndodhjet:

Rrethrrotullim në hyrje të Koplikut

Rrethrrotullim në dalje të Koplikut

Rrethrrotullim në hyrje të Bajzës

Rrethrrotullim në dalje të Bajzës

Rrethrrotullim në hyrje të kryqëzimit të Doganës

Mbikalimi te Pallati me shigjeta

Mbikalimi në Plepa

Rrethrrotullim në Golem, plazh

Rrethrrotullim në Malin e Robit (hyrje-dalje)

Mbikalimi në Kavajë, Veri (hyrje-dalje)

Mbikalimi në Gosë

Rrethrrotullim në Rrogozhinë

Rrethrrotullim në Divjakë

Rrethrrotullim në Grabjan

Rrethrrotullim në Plug, hyrje Lushnjë

Nyja Levan (hyrje-dalje Tepelenë)

Rrethrrotullim në Gjirokastër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë