Politike

Projekt rezoluta për Srebrenicën – Dënohen krimet e Millosheviçit dhe kërkohet forcim i bashkëpunimit rajonal

Mazhoranca dhe opozita e kanalizuan debatin në Kuvend në seancën plenare të kësaj të enjte te data 7 korrik. Të parët u përqëndruan te projektrezoluta që dënon krimet serbe në Bosnje, ndërsa të dytët te prosta e thirrur kundër rritjes së çmimeve.

Në Kuvend është depozituar projekti i rezolutës, ku veç dënimit të krimeve në serbe në Srebrenicë përmendet edhe spastrimi etnik i shqiptarëve në Kosovë, por mes rreshtave theksohet që të përcaktohet “nga regjimi serb i Slobodan Millosheviçit”.

“Konfirmon (Kuvendi) qëndrimin e Shqipërisë se mohimi i gjenocidit të kryer ndaj popullatës boshnjake në Srebrenicë nga forcat serbe të Bosnjës përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar, nxit fenomenin e pandëshkueshmërisë ndaj krimeve të luftës si dhe shkel mbi dinjitetin e më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Sreberenicë, të mbijetuarave dhe familjeve të tyre, por edhe ndaj rreth 10 mijë shqiptarëve të vrarë gjatë spastrimit etnik në Kosovë dhe 20 mijë grave të dhunuara nga regjimi serb i Slobodan Milosheviçit”, thuhet në rezolutë.

Rezoluta detyron Qeverinë që të nderojë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke iu referuar vendimit të Parlamentit Evropian, të shpallë datën 11 korrik si Ditën e Përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.

Ndërkohë, në pikën e fundit të saj, rezoluta e nxit Qeverinë që të vijojë përpjekjen dhe politikat e fqinjësisë së mirë me vendet e rajonit, bazuar në respektin reciprok dhe të forcojë bashkëpunimin në kuadër të Ballkanit të Hapur.

“Të punojë parreshtuar për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me vendet e tjera të Ballkanit Përendimor, në frymën e respektit reciprok, parimeve të barazisë, frymës së pajtimit dhe mirëkuptimit për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët të drejtë, duke forcuar lidhjet politike, ekonomike dhe tregtare mes vendeve si dhe kontaktet mes njerëzve, në të mirë të paqes, sigurisë, përparimit ekonomik e shoqëror për çdo vend dhe rajoni në tërësi”, mbyllet projektrezoluta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë