Partia Socialiste thotë se programi ekonomik i prezantuar nga Partia Demokratike favorizon të pasurit në kurriz të të varfërve. Arben Ahmetaj u ndal tek premtimet fiskale të shpalosura ditën e enjte nga ana e Lulzim Bashës. Fillimisht u ndal tek të ardhurat nga paga.
“Do të vendosin taksë të sheshtë 9 për qind mbi të ardhurat nga paga, pra, rritje takse për të gjitha pagat deri në 100 mijë lek/muaj; taksë varfëruese për 94.5 për qind të të punësuarve; ulje taksash për vetëm 5.5% të tyre”, tha Ahmetaj.
Ahmetaj thotë se me taksën e propozuar nga PD, një i punësuar me rrogë minimale prej 30 mijë lekësh tatohet 31 mijë lek në vit, ndërsa personat me paga të larta kursejnë mijëra dollarë.
“E dini sa i kursen taksa e sheshtë 9 për qind një bankieri, drejtuesi koorporate, apo punonjësi me pagë 300-400 mijë lekë/muaj? 11.600 USD në vit. Me taksën varfëruese të sheshtë 9 për qind, maja e piramidës së pagave, përfiton në total ulje taksash 150 milionë lek/muaj”, shpjegon më tej ministri i Rindërtimit.
Ahmetaj thotë se taksa e sheshtë e PD-së favorizon gjithashtu bizneset e mëdha në kurriz të bizneseve të vogla.
“Do të ulin tatimin mbi të ardhurat e kompanive nga 15% ne 9% - pra, 10 mijë biznese të mëdha të përfitojnë në kurriz të 100 mijë bizneseve të vegjël! Me taksën e sheshtë 9%, i kursejnë 10 mijë kompanive të mëdha rreth 14.5 miliardë lekë. Me taksën e drejtë progresive, në 8 vitet e fundit, taksat e biznesit të madh janë rritur 460% krahasuar me 2013. Vendosin tatimi 0,5% të xhiros për bizneset e vogla – 20 milionë dollarë në kurriz të biznesit të vogël, 100 mijë biznese që sot paguajnë zero taksa”, tha ai.
Sa i takon uljes së taksës së qarkullimit, ish-ministri i Financave deklaaron se nga ky vendim buxhetit të shtetit do t’i mungonin 14.4 miliardë lek, ose 5 për qind më pak të ardhura vjetore nga tatimet dhe doganat.
Në lidhje me uljen e kontributit për sigurimet shoqërore, Ahmetaj thotë se kjo do të rrezikonte të gjithë skemën e pensioneve. Edhe deputeti socialist, Ervin Bushati e konsideroi programin e PD dhe taksën e sheshtë të prezantuar prej saj si favorizim i të pasurve.
“Nga taksa Basha do të përfitonin vetëm 28 mijë biznese, ndërsa ne përpiqemi të mbrojmë 99 për qind të shqiptarëve. Taksa Basha cenon ekonominë e 99 për qind të shqiptarëve”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.