Shendet

Programi i Kujdesit Dentar dhe i Shikimit në shkolla, Manastirliu: Nisi në Tiranë, brenda vitit në Shkodër, Elbasan dhe Durrës

Gazeta Si- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar kabinetin dentar në Shkollën 9-vjeçare “Mihal Grameno”, në kuadër të Programit të Depistimit të Shëndetit dhe Kujdesit Dentar për fëmijët e grupmoshës 6-14 vjeç në shkolla. Ajo ka deklaruar se ky program ka nisur në 10 kabinete të reja dentare në shkollat e Tiranës. Gjithashtu po këtë vit do të ketë kabinete të reja edhe në tre qarqe, me nga 8 kabinete në Shkodër, Elbasan dhe në Durrës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se ndërkohë që objektivi është që ky program të shtrihet në të gjithë vendin, dy njësi të lëvizshme do të jenë gati për të depistuar nxënësit në zonat rurale.

“Ne planifikojmë që të kemi gjithashtu edhe dy kabinete të lëvizshme brenda vitit, për të mundësuar edhe vizitat dhe kontrollin për kujdesin ndaj dhëmbëve edhe në zonat rurale”, tha Manastirliu.

Një tjetër program që po zbatohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është programi i depistimit të shikimit.

“Janë më shumë se 270 mijë fëmijë që përfitojnë nga dy programet tona”, tha Manastirliu.

Deri tani, mbi 82 mijë fëmijë në të gjithë vendin janë depistuar për shikimin në shkolla, nga të cilët, rreth 10 mijë prej tyre janë referuar tek mjeku specialist. Ndërsa nga Programi i Dentistrisë në shkollat e Tiranës, deri tani janë depistuar dhe trajtuar mbi 1 mijë fëmijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë