Sabina Veizaj - Të alarmuar çdo ditë e më shumë për sigurinë ushqimore; nga specialistët, mediet, leximet e ndryshme përballemi njëherësh me frikën, herë-herë me pamundësinë financiare për të prekur tregjet e shtrenjta bio dhe shpesh me mungesën e informacionit të vërtetë nëse ka realisht prodhime biologjike në Shqipëri dhe ku gjenden.
Sipas Ministrisë së Bujqësië, pjesën më të madhe të prodhimit biologjik/bio/organik në vend e zë prodhimi (mbledhja dhe kultivimi) i bimëve aromatike mbi 50%, geshtenja 30%, frutapylli 16% dhe frutaperime, vaj ulliri, ullinj në sasi të pakonsiderueshme.
Kryesisht prodhimet biologjike të prodhuara në vend, janë të destinuara për eksport në SHBA dhe vendet e BE-së (kryesisht bimë taromatike). Thënë këtë rezulton që në tavolinat tona zor se mbërijnë këto lloj produktesh cilësore dhe të mirëushqyeshme për organizmin tonë. Sidomos për të mbuluar nevojat e një mase të madhe të popullsisë.
Aktualisht në sistem për çertifikim si produkte biologjike, përfshihen gjithsej 58 operatorë (nga këta 7 janë në periudhë konvertimi).
"Në Shqipëri nuk ka produkte Bio!" Këtë e thotë Kristaq Bërxholi, profesor në Universitetin Bujqësor të Kamzës. “Fjala produkt Bio që qarkullon herë pas here nuk është real. Ai hidhet në qarkullim sipas interesit të politikës, pasi ne nuk kemi realisht ende produkte Bio. Do politika e thote që: Baldushku prodhon gjela deti bio, e thotë, po në realitet, nuk ka asgjë të përbashkët me to.
Edhe bimët aromatike, meqë mblidhen apo kultivohen, i quajnë Bio, po në fakt janë produkte natyrale organike. Përderisa ato kultivohen në toka ku janë përdorur plehëra kimike, koncepti bie që këtu.
Ka një procedurë dhe një sërë kerkesash qe te prodhosh produkte Bio. Nje pasqyre e saj eshte cmimi i cili eshte 2 apo dhe me shume here me i larte se normali tek produktet Bio.
Krahas kësaj këto (bimë aromatike, gështenja etj), janë në sasira të tilla, në vlera absolute, që nuk ia vlen të merresh me to. Pse jepen në perqindje edhe këto e nuk jepen në kuintalë përshembull?”, thotë për Gazetën “Si” profesor Berxolli.
Ai argumenton se edhe produktet natyrore, që të vlerësohen si të tilla, duhet të kalojnë një numër analizash laboratorike, sipas kërkesave për këtë emërtim, mandej me një vendim të një grupi ekspertësh, përcaktohen si të tillë dhe rezultatet publikohen. “A bëhen këto”? pyet profesori dhe e kthen vetë përgjigjen i bindur. “Jo”!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.