Treg

Prodhuesit nuk eksportojnë dot, shohin jashtë vendit për të ndërtuar fabrika

Pando Bakalli prej disa brezash prodhon djathin e bardhë në mënyrë tradicionale.
Ai prej 20 vjetësh merr rreth 15 lloje qumështi delesh, 8 ton në ditë nga zona e Zagorisë, e cila sipas tij ka qumësht të veçantë dhe e prodhon djathin në mënyrë tradicionale në Sarandë për të ruajtur cilësitë që karakterizojnë produktin e tij.

Përpos që trazimi i qumështit bëhet me lugë druri, (sepse, më shpjegon z.Bakalli, qumështi është si fëmijë, nëse e rreh fortë, nuk të jep gjë), ai nuk e ruan atë në fuçi inoksi, por në fuçi druri thane ose gështenje.

Djath i bardhë, foto ilustruese

Tek flasim për blegtorinë, z.Bakalli kujton kohën e të gjyshit të vet, i cili në atë kohë ka eksportuar djathin e bardhë tradicional në Itali.

Por vetë z.Bakalli, jo vetëm që nuk mund të eksportojë dot jashtë kufijve, në vendet e BE-së, por pikërisht për firmosjen në paketim të djathit që prodhon me siglën "tradicionale", një vit më parë ka marrë 1 mln lekë gjobë.

Pasi fitoi të gjitha shkallët e gjyqit, ai nuk mori asnjë dëmshpërblim pas gjobitjes. Z.Bakalli i cili është kimist me profesion dhe puna e tij e dërgon në terren çdo ditë, thotë se gjendja e blegtorisë është e mjerueshme. “Në Gjirokastër dhe Sarandë janë qindra bagëti të braktisura në dy vitet e fundit. Fermerët nuk kanë përballuar dot kostot, konkurrencën e pandershme, mungesën e rimbursimit dhe janë larguar. Kush na mbron ne? Askush”, thotë z.Bakalli.

Ai dëshiron ta eksportojë produktin e tij dhe kishte gjetur treg në Suedi. Vetë suedezët e interesuar i bënë analizat djathit, thotë z. Bakalli dhe gjithçka ishte në rregull, por nuk merrja dot çertifikatën.

Gazeta “Si” kontaktoi Ministrinë e Bujqësië, e cila tha: "Ne mund të eksportojmë edhe produkte shtazore prej vitit të kaluar, por prodhuesit shqiptarë që nuk arrijnë të marrin certifikatën, kanë probleme me cilësinë dhe duhet të plotësojnë kushtet".
Kurse z.Bakalli ka dëshmi që flasin kundër asaj çfarë prononcohet Ministria e Bujqëisë. “Kur në Sarandë vijnë turistë nga Europa; Gjermania, Italia, Greqia, Suedia marrin me vete nga 15 kg djath. Gjithashtu partneri i mundshëm suedez më propozoi të bënim një firmë bashkë që ta marketonim djathin në forma dhe porcione të ndryshme, jo vetëm sasinë që unë ofroj aktualisht në tregun shqiptar”, thotë ai.

I gjendur përballë problematikave të thekshme sipas tij veçanërisht pas ndryshimit të nivelit të TVSH-së dhe pamundësinë për të eksportuar, ai ka vendosur të ndërtojë fabrikë në Rumani me qëllim që të zgjerohet në tregun europian.

Tek e pyes nëse ka kolegë të tij të tjerë që kanë vendosur të njëjtën gjë, ai përgjigjet se ka, por nuk flasin.

“Ka plot por preferojnë të heshtin. Këtu 85 % e tregut është informal. Ministria e Bujqësisë nuk ka specialist, AKU gjithashtu. Vapa këtë vit ka nisur përpara kohe, a ka dalë njeri në terren të kontrollojë bagëtitë? E dinë ata që në këtë të nxehtë rrezikohet sëmundja e plasjes?”- thotë për gazetën “Si” Z. Bakalli.

Edhe Orhan Miloti nga Shkodra ka të njëjtin problem. Ai rpodhon mozzarella model italian prej 20 vjetësh nën siglën Albamilk. Ka gjetur treg në Malin e Zi për të eksportuar dhe nuk ka mundur për shkak të mungesës së çertifikatës veterinare dhe ushqimore.

Mozzarella, foto ilustruese


Ai më thotë se tek Ministria e Bujqësisë nuk ka shpresë, por pala Malazeze e interesuar po merret me dokumentacionin sepse këmbëngulë për të realizuar partneritetin.
Atij i ka dalë nevoja për të eksportuar pasi tregu në Shqipëri sipas tij po luhatet në nivele të llahtarshme.

“Euro është zhvlerësuar në nivele ekstreme, kostot janë rritur maksimalisht po ashtu. Unë dhe kolegët e mi po importojmë qumësht, nuk na leverdisim ta marrim në vend. Jemi vendi me çmimin më të lartë për litër të qumshtit.”- thotë z. Miloti.

Por Ministria e Bujqësisë këmbëngulë se nga ana e saj nuk ka veprime me dashje për të penguar bizneset të eksportojnë produktet e tyre.
Sipas saj, çertifikatat përkatëse lëshohen pasi produktet iu nënshtrohen analizave përkatëse.

Si eksportohet?

Procedurat e Eksportit kryhen në bazë të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë. Palët që përfshihen në procedurat doganore të eksportit janë organet doganore, agjentët doganorë. Sipas grup mallrave për tu eksportuar, palë mund të jenë edhe Organet Sanitare e Fitosanitare, Veterinare dhe Organet shtetërore të kontrollit të Eksporteve.
Për të eksportuar duhet të zbatosh formalitetet e daljes, duke përfshirë edhe masat e politikës tregtare dhe, kur është rasti, detyrimet e eksportit.

Eksporti nga Republika e Shqipërisë është i lirë, pa ndonjë masë tjetër kufizuese, pa kuota, pa ndalime apo kufizime të tjera tarifore dhe jotarifore. Mbi eksportet shqiptare nuk zbatohet asnjë lloj takse eksporti.

Tarifa për Eksportin e Mallrave është zero (0) % për Eksportin e mallrave nga territori i Republikës së Shqipërisë, furnizimin e shërbimeve nga persona rezidentë Shqiptarë jashtë territorit Shqiptar (eksporti i shërbimeve) dhe transportin ndërkombetar të mallrave dhe pasagjerëve. TVSH zbatohet në masen zero (0) përqind për mallra që eksportohen nga territori i RSH. Për subjektet që eksportojnë, tarifa zero (0) % ka perparësi pasi ato kanë të drejtë të rimbursohen për TVSH-në e paguar gjatë blerjes së materialeve dhe lëndës së parë për produktet që eksportojnë.

Procedura praktike për eksport

Në qoftë se një subjekt i caktuar me seli në Tiranë do të realizojë një eksport nga territori Shqipërisë, duhet të paraqesw mjetin me ngarkeswn si dhe parashtrimin e dokumentacionit përkatës në Degën doganore ku është vendosur ky subjekt.

Dokumentat e prezantuara duhet të paraqiten në një Agjensi doganore të liçensuar (që ndodhen pranë zyrave doganore) ku edhe përgatitet deklarata doganore për eksport.
Dokumenta të tjerë shoqëruese të mallit (leje të veçanta) që varen nga natyra e mallit që do të eksportohet (druri, bimët mjeksore, lëkuret, etj), për të cilët merren leje nga bashkia apo komuna ku është prodhuar apo grumbulluar malli për eksport.

Dokumentet Doganore janë si më poshtë:

Deklarata e Exportit (DAV-export)
Fatura e Blerjes së mallit
Dokumenti i transportit të mallit
Listë-ngarkesa apo manifesti i mallit
Certifikata e Origjinës
Certifikata Euro 1
Certifikata veterinare dhe fitosanitare (për produktet bujqësore)

Statistikat e INSTAT

Në fakt sektori i eksporteve prej gati dy vjetësh ka nisur të shtrëngohet që me zhvlerësimin e euros, mungesën e rimbursimeve dhe rritjen e pagës minimale në shjetor të vitit që lamë pas.
Ekspertët e fushës shprehen se për të parë gjendjen e bizneseve të eksportit në vend, nuk duhen vërejtur vetëm shifrat.


Por edhe shifrat sipas tyre në harkun kohor të një viti do të mund ta demonstrojnë gropën e sektorit. Të dhënat më të fundit të INSTAT raportojnë se në maj 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 28 mld lekë, duke u ulur me 8,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por me rritje prej 3,5 %, në krahasim me prill 2019.

Ndryshimi vjetor në Tregtinë e mallrave(%)


Në pesëmujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 127 mld lekë, duke u ulur me 3,6 %, krahasuar me një vit më pare. Ndërsa deficiti tregtar arriti vlerën 137 mld lekë, duke u rritur me 10,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018.
Kanë qenë zërat “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, “Materiale ndërtimi dhe metale” dhe “Tekstile dhe këpucë” ato që kanë ndikuar negativisht në uljen e eksporteve gjatë periudhës.

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

Në maj 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me maj 2018 sipas shkëmbimeve janë: Kosova, Gjermania, dhe Kina. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia, Spanja dhe Greqia.
Gjatë këtij pesërmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova, Gjermani, dhe Maqedonia e Veriut. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia, Spanja dhe Greqia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë