Politike

Procesi për 3 vendet vakante në SPAK, SHBA-BE kërkojnë prokurorë të kualifikuar dhe me integritet

Gazeta Si - Ambasada amerikane në Tiranë dhe delegacioni i BE-së në vendin tonë, inkurajojnë zgjedhjen e prokurorëve të kualifikuar dhe me integritet në vijim të procesit për 3 vendet vakante në SPAK.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, SHBA thekson se po ndjek nga afër procesin lidhur me garën e prokurorëve për tre vendet e fundit vakante në SPAK.

Ambasada amerikane në Tiranë shprehet se Shtetet e Bashkuara presin që ky proces të rezultojë në përzgjedhjen e prokurorëve më të kualifikuar.

“Ambasada Amerikane po ndjek nga afër intervistat dhe vlerësimet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për kandidatët për prokurorë që aplikojnë për tre vendet vakante të fundit në SPAK. Shtetet e Bashkuara presin që ky proces vendimtar të rezultojë në përzgjedhjen e atyre prokurorëve më të kualifikuar me nivelet më të larta të guximit, profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë teksa ajo lufton korrupsionin, forcon institucionet e saj të drejtësisë dhe mbështet shtetin e së drejtës. SPAK mbetet një pjesë kritike e kësaj përpjekjeje.”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Po kështu edhe delegacioni i BE-së shkruan: “Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vijojë ditën e sotme me përzgjedhjen e tre prokurorëve të rinj të SPAK. Kjo duhet të kontribuojë në forcimin e punës së SPAK-ut, integritetit dhe pavarësisë së tij. Ky institucion kyç duhet të mbështetet në profesionistët më të mirë në dispozicion për të përmbushur misionin e tij thelbësor”, - vijon njoftimi i delegacionit të BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë