Drejtësia

Procesi ndaj Fredi Belerit, vëllai i të infiltruarit: Na kanë ofruar azil politik në Greqi në këmbim të tërheqjes së padisë

Në shqyrtimin e cështjes ndaj kryebashkiakut të Himarës, Fredi Belerit, Gjykata pranoi të martën kërkesën e SPAK për tu lexuar dy dëshmitë e dëshmitarit Abdyl Rama të dhëna në prokurorinë e Vlorës dhe atë Speciale në Tiranë. Vendimi erdhi pas verifikimit të ardhur nga policia, për herë të tretë që nuk e gjente në banesë, dhe sipas TIMS, rezulton jashtë vendit pa adresë të përcaktuar që më datë 22 korrik 2023.

‘Pak ditë pas arrestimit të Belerit më kapën në Himarë dy persona që më i kërkuan të tërhiqnin deklarimet e tij dhe të vëllait Arsen Rama.  Ata thanë se janë miqtë e Belerit. Nëse do të tërhiqni deklarimet do t’i sigurojmë azil politik për vëllain në Greqi. Në një ditë tjetër duke ikur në Livadh me motor më preu rrugën një person dhe që në duar dukej sikur mbante një armë më ka kërcënuar dhe sharë greqisht nga nëna që më ka vdekur. Që kur u arrestua Fredi Beleri ne na ka falimentuar biznesi sepse nuk na ble më njeri peshk si dhe në Himarë nuk na flet më njeri.’- thuhet në dëshminë e Avdyl Ramës të lexuar sot në SPAK.

Dëshmitë janë kontestuar nga mbrojtja e Belerit me argumentin se ai duhet të sillet të dëshmojë në gjykatë.

Më tej mbrojtja tha se ndaj Abdyl Ramës është bërë një kallëzim, çështje për të cilën tha se e ka në shqyrtim gjyqtarja Irena Gjoka, ndaj të cilës tha se nuk përjashtohet mundësia të kërkojë largimin e saj nga gjykimi i Belerit. Mbrojtja vijoj se mosparaqitja e Ramës ka të bëjë me faktin se i ndruhet kallëzimit për deklarim të rremë.

Avokati  Geri Gjyzari, tha pas seancës se të dy vëllezërit janë të akuzuar për falsifikim dhe janë gjithashtu sipas tij bashkëpunëtorë të policisë.

“Abdyl Rama dhe Arsen Rama janë dënuar në 2-3 gjykata të Shqipërisë për çështje të ndryshme. Në 19 dhjetor qe është shtyrë gjyqi ai ka një gjyq këtu dhe nuk e gjejnë dot. Ky është Abdyl Rama që nuk e gjejnë dot. Janë dy vëllezër që kanë organizuar të gjithë këtë. Njëri vëlla është në mbrojtje të tjetrit. Kjo është e vërtet. Janë disa herë të dënuar të dy, i përdor policia”, tha avokati i Belerit, Geri Gjyzari

Seanca u shty për më datë 19 dhjetor në orën 14:30, me kërkesë të Prokurorisë pasi theksoi se duhet ti merret dëshmia në cilësinë e të pandehurit edhe Pandeli Kolaveshit i cili nuk mori pjesë në seancë.

Seanca pati interesim të lartë të mediave greke dhe ambasadores së vendit fqinj që nuk ka munguar në asnjë seancë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë