Drejtësia

Gjyqi ndaj Fredi Belerit, SPAK zbardh telefonin e Kokaveshit: Bisedat në grupin ‘Himara ime je ti’ joshnin qytetarët për letrat greke

Gazeta Si - Në seancën e radhës në procesin ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Alfred Beleri, i akuzuar për korrupsion zgjedhur, SPAK ka paraqitur prova të reja shkresore.

Prokurorët e Posaçëm, thanë gjykatës se nga ekspertimi i telefonit të bashkëpandehurit tjetër, Pandeli Kokaveshi është zbuluar një grup në aplikacionin ‘Whats Up’ i quajtur, “Himara ime je ti”.

Në këtë grup sipas prokurorisë, ka biseda rreth ndihmesës që do t’i ofroheshin qytetarëve të Himarës dhe zona përreth, ndër to edhe për sigurimin e “letrave greke”.

Madje në një bisedë, Beleri i ka tërhequr vemendjen Kokaveshit me fjalët: “Çfarë janë këto biseda, nga këto do të digjesh ti!”.

Por avokatët e Belerit i kundërshtuan leximet e SPAK dhe sipas tyre nuk kanë lidhje me objektin e gjykimit dhe bisedat janë kryer më herët se sa të kryhej vepra penale, madje telefoni ka qenë në pronësi të nënës së Pandeli Kokaveshit.

Nga ana tjetër, Fredi Beleri nuk ka pranuar te dorëzojë kodin e telefonit të tij celular.

Nisur nga ky fakt Prokuroria nuk ka ekspertuar dot telefonin e tij, por të Arsen Ramës (bashkëpunëtorit të drejtësisë), ku janë gjetur thirrjet dhe komunikimit.

Pandeli Kokaveshi nuk dha pëlqimin që të pyeten nga prokurorët dhe kishte sjellë vërtetim që ndodhej i shtruar në spital në Greqi.

Gjykata vendosi që të lexoheshin deklarimet e dhëna në 12 maj të këtij vitit nga Kokaveshi. Ai kishte mohuar që të kishte lidhje me shitblerjen e votave. 

Për ta ndjekur nga afër ka shkuar edhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, si dhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Fredi Beleri është arrestuar dhe akuzohet për blerje votash për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Seanca e radhës është vendosur të zhvillohet më 29 dhjetor, ora 11:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë