Para

Problemi matematikor që mban peng botën moderne

Shumë kërkesa dhe pak burime. Ky duket të jetë ekuacioni i pazgjidhshëm i botës moderne. Nuk është e lehtë të parashikohet saktësisht se çfarë duan njerëzit dhe kur e duan, sidomos në një kohë kur ne jemi duke pritur që bota të na japë zgjidhje të shpejta për të gjitha problemet tona gjithnjë e më komplekse dhe të larmishme.

Gjatë dekadave të fundit, hulumtuesit kanë zhvilluar një sërë zgjidhjesh mjaft efektive matematikore që mund të shpërndajnë burime në një shumëllojshmëri industrish dhe fushash, në mënyrë që kompanitë dhe prodhuesit të mund të jenë në një hap me kërkesat e përditshme të botës moderne.

Por mungesa e kohës për shpërndarjen e barabartë të këtyre burimeve është kthyer në një problem edhe më dinamik. Kjo çështje është tanimë sipas ekspertëve një problem matematikor, për zgjidhjen e së cilit duhet të merret parasysh, ndryshimet dhe paqartësitë e botës moderne. Problemet e tilla njihen kolektivisht si probleme dinamike të shpërndarjes së burimeve.

“Nëse jeni duke pritur për një taksi ose për një dërgesë... lista e problemeve dinamike të shpërndarjes së burimeve dhe pasojat e tyre në jetën ë përditshme janë pothuajse të pafundme" thotë Warren Powell, një inxhinier në Universitetin Princeton i cili ka studiuar këto probleme që nga vitet 1980 .

Kudo ka burime të kufizuara, por rritja e nivelit të kërkesës ka bërë që shpërndarja e e tyre të jetë edhe më e vështirë në metropolet e mbipopulluara.

Por le të shohim së pari një shembull të thjeshtuar për të parë se çfarë është saktësisht një problem dinamik i shpërndarjes së burimeve dhe çfarë e bën kaq të vështirë zgjidhjen e tij.

Imagjinoni të jeni duke gatuaj një darkë të veçantë për familjen tuaj prej katër vetësh. Keni pjekur mishin e viçit dhe keni përgatitur pjatat e tjera shoqëruese. Por, sapo të jeni gati ta shërbeni, vajza juaj ju thotë se ajo është vegjetariane, partneri ju njofton se i doli një problem në punë dhe do të vonohet ndërsa dhe djali ju thotë se ka ftuar edhe disa miq për darkë. Pastaj, qeni juaj rrëmben papritur mishin e sapo pjekur dhe del ta hajë jashtë, ndërkohë ju jeni duke u përpjekur në mënyrë të dëshpëruar të gjeni një zgjidhje për të përmbushur nevojat e anëtarëve të familjes tuaj.

Ky është një shembull i parëndësishëm por tregon disa nga sfidat kryesore me të cilat përballen kompanitë prodhuese kur merren me këto probleme. Nuk ka asnjë mënyrë që ndërmarrjet të mund të parashikojnë me saktësi kërkesat e reja të dietës së vajzës suaj, mbërritjen më vonesë të partnerit tuaj ose mysafirët shtesë të djalit tuaj.

Në afat më të gjatë, kërkesa për ushqim në shtëpinë tuaj gjithashtu do të ndryshojë çdo ditë . Me ardhjen e mysafirëve të djalit tuaj, ju nuk e keni më idenë se çfarë do të donin ata të kishin për darkë. Për më tepër, kur ka më shumë njerëz ose opsione vaktesh në kuzhinën tuaj, gjërat bëhen më të komplikuara.

Por kjo është pikërisht nga ato situata me të cilat mund të ballafaqohet edhe një spital i madh kur përpiqet të kurojë të gjithë pacientët që vijnë përmes dyerve të tij. Ilaçet që ata kërkojnë, të cilat vetë kanë një afat të kufizuar të depozitimit, dhe pajisjet e nevojshme për diagnostikimin dhe trajtimin duhet të ndryshojnë vazhdimisht kur arrijnë pacientë të ndryshëm. Burimet e kufizuara si skanerë, mjekë dhe infermierë duhet të përballoj ëtë gjithë kërkesën. Për të parandaluar që situata të dalë jashtë kontrollit, spitali mund të zbatojë modele matematikore për të ndihmuar koordinimin e të gjitha këtyre gjërave.

Problemi është se shumica e metodave ekzistuese mbështeten në të dhënat historike për të bërë parashikime. Kjo metodë nuk mund të përballojë as ndryshimet më të vogla. Probleme të tilla bëhen të pashpjegueshme në mënyrë kompjuterike, madje edhe për një numër mjaft të vogël njerëzish dhe burimesh.

Problemet dinamike të shpërndarjes së burimeve gjithashtu lindin nga një sërë skenarësh të ndryshëm dhe secili ka problemet e veta specifike. Për shembull, Eiko Yoneki, profesor në Universitetin e Kembrixhe po studion implikimet e këtyre problemeve për të ndihmuar sistemet dhe aplikacionet tona kompjuterike të përshtaten më shpejt dhe në mënyrë më efikase.

"Sistemet moderne të kompjuterëve janë komplekse dhe duhet të llogarisin shpërndarjen e burimeve, kapacitetin dhe mjediset gjithnjë e në ndryshim e sipër”, thotë ai.

Rrjetet e telefonisë celulare dhe firmat e shpërndarjes janë ato që përballen më shpesh me këto probleme, por edhe ato që kanë gjetur disa nga zgjidhjet më efikase.

Për shembull, kompania e shpërndarjes UPS zhvilloi sistemin e vet për të shkurtuar rrugët e shpërndarjes duke përdorur algoritme të avancuara. Kompania pretendon se ky sistem i ka kursyer 100 milionë milje në vit.

“Zinxhirët e furnizimit janë një tjetër problem që sa po vjen dhe po rritet", thotë Powell. “Për shembull, nëse dëshironi të prodhoni një smartphone standard ju duhet të bashkërendoni qindra përbërës nga e gjithë bota, të gjitha të cilat bashkohen në një mënyrë specifike në një nga katet e fabrikës. Ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit janë një problem i madh kur përpiqemi të plotësojnë nevojat e shoqërisë," shton ai./BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë