Shendet

Problemet e tiroides lidhen me rritjen e rrezikut për demencë

Problemet e tiroides tek njerëzit e moshuar mund të lidhen me një rrezik të shtuar për demencë, tregon një studim i ri.
Sipas të dhënave, njerëzit e moshuar me hipotiroidizëm – i quajtur edhe tiroide joaktive – mund të kenë shanse më të larta për të zhvilluar këtë gjendje.

Hipotiroidizmi ndodh kur gjëndra tiroide nuk prodhon mjaftueshëm hormone tiroide.

Kjo mund të ngadalësojë metabolizmin dhe simptomat përfshijnë ndjenjën e lodhjes, shtimin në peshë dhe ndjeshmërinë ndaj të ftohtit.

Autori Chien-Hsiang Weng, nga Universiteti Brown në Amerikë tha se në disa raste, çrregullimet e tiroides janë shoqëruar me simptoma të demencës që mund të jenë të kthyeshme me trajtim.
“Ndërsa nevojiten më shumë studime për të konfirmuar këto gjetje, njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm për problemet e tiroides si një faktor rreziku i mundshëm për demencën. Gjithashtu, terapitë që mund të parandalojnë ose ngadalësojnë rënien e pakthyeshme njohëse”, shtoi Weng.
Studiuesit analizuan të dhënat shëndetësore të 7,843 personave të sapo diagnostikuar me demencë në Tajvan dhe i krahasuan me të njëjtin numër njerëzish që nuk kishin demencë.

Foto ilustruese-Kontroll për tiroidet-Marrë nga interneti-Gazeta "Si"-07.07.2022

Shkencëtarët kërkuan të shihnin se kush kishte një histori të hipotiroidizmit, duke çuar potencialisht në rritjen e metabolizmit dhe simptomave, që përfshinë humbjen e padëshiruar të peshës, rrahjet e shpejta ose të parregullta të zemrës.

Gjithsej 102 persona kishin hipotiroidizëm. Nga njerëzit me demencë, 68, ose 0,9%, kishin hipotiroidizëm, krahasuar me 34 prej njerëzve pa demencë, ose 0,4%.

Pas përshtatjes për faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në rrezikun e demencës – të tilla si gjinia, mosha, presioni i lartë i gjakut dhe diabeti – studiuesit zbuluan se njerëzit mbi moshën 65 vjeç me hipotiroidizëm kishin 80% më shumë gjasa të zhvillonin demencë.
Për ata më të rinj se 65 vjeç, të pasurit e një historie të hipotiroidizmit nuk shoqërohej me një rrezik në rritje të gjendjes.
Njerëzit që merrnin ilaçe për hipotiroidizëm, kishin tre herë më shumë gjasa të zhvillonin demencë sesa ata që nuk merrnin ilaçe, zbuloi studimi.

Gjetjet janë publikuar në revistën “Neurology”.

Sara Imarisio, kreu i kërkimit në “Alzheimer's Research UK”, tha se studimi nuk shqyrtoi arsyet për këtë korrelacion të lartë dhe studimet për këtë cështje duhet të vijojnë më tej.
“Nëse jeni të shqetësuar për tiroiden tuaj, është më mirë të caktoni një takim me mjekun, i cili mund të bëjë disa teste të thjeshta për të kontrolluar nëse funksionon siç duhet”,shton Imarisio.

Burimi: The Independent/ Përshtati: Gazeta “Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë