Rend dhe Ligj

Probleme me shëndetin, ish-kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit nga burgu përfundon në spital

Gazeta Si - Ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci është transferuar në spitalin e burgut për shkak se ka shfaqur probleme shëndetësore.

Ai ndodhej në paraburgimin e Reçit në Shkodër, pasi u arrestua me urdhër të SPAK në 13 korrik të këtij viti, i akuzuar për shpërdorim detyre.

Për të njëjtën akuzë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, u vendos edhe ish-administrator i Njësisë Administrative Iballë, Ndoc Marku.

Struktura e Posaçme tha në një njoftim zyrtar, se Fran Tuci në bashkëpunim me ish-administratorin e njësisë Iballë, në kundërshtim me ligjin, kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor, i cili ka cenuar një sipërfaqe të madhe të fondit pyjor në pronësi të Bashkisë.

Punimet e kryera nga administrator i një subjekti privat gjithashtu ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor. Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e 234,007,500 lekë.

Për akuzat, Tuci pretendon se dëmet janë më pak, pasi mali ishte i zhveshur nga pemët.

Prokuroria e posaçme ka shpjeguar se nga hetimet “ka rezultuar e provuar se ish-titullari i Bashkisë Fushë Arrëz, në bashkëpunim më ish-Administratorin e Njësisë Administrative Iballë, me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë në të njëjtën kohë edhe pasojë të rëndë materiale për shtetin, kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor auto rural, të pamiratuar më parë nga autoritetet kompetente”.

Ish-kryebashkiaku Tuci, ka drejtuar pushtetin vendor në Fushë Arrëz për dy mandate, si i zgjedhur Partisë Socialiste, nga viti 2015 deri para pak muajsh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë