Lajme

Prishtinën vizitojeni në Maj!

Sabina Veizaj - “Sasa Ilic për të ardhur në ‘Polip’ duhet të japë gjak. Ai është nëpunës i Bibliotekës Kombëtare të Serbisë dhe nuk i japin leje për tu larguar nga puna, përveçse me kushtin që të dhurojë gjak. Pra Sasa jep gjakun për Kosovën”- e nisi kështu Jeton Neziraj prezantimin e njërit prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Festivalit Ndërkombëtar të Letërisë “Polip” që zhvillohet në Prishtinë.

Mandej Sasa Ilic duke mbartur në dorë një pako biskota Plasma, të cilat po i shijonte, ia drejtoi Nezirajt duke i thënë “Shijoji se ju ka marrë malli”.
Më vonë, dikush më shpjegoi se biskotat “Plasma” prodhim serb janë nostalgji dhe kujtim i çdo familjeje kosovare. Përveçse ua jepnin fëmijëve, ato shpiheshin si dhuartë për çdo të sëmurë kur i shkoje për vizitë në shtëpi.

Por me vendosjen e taksave doganore në masën 100% ndaj produkteve serbe, në marketet kosovare prej disa muajsh nuk gjen më biskota “Plasma”.
Me këto batuta e çeli siparin nata e parë e “Polip” dhe festivali Gran Fest. Ky i fundit në edicionin e parë të tij, i kuruar nga artisti kosovar, por që jeton jashtë kufijëve Gani Jakupi.

Prishtina nuk ka lum, liqen natyral a artificial, nuk ka det, por Prishtina ka “Polip”.

Për mua është hera e dytë që vij në këtë festival dhe po ashtu si herën e parë energjitë që përcjell jo vetëm tek të ftuarit, por mbi të gjitha tek publiku kjo ngjarje janë po aq pozitive, dhe ekzaltuese.

“Polip” është kthyer në një atraksion turistik për Prishtinën, sidomos vitetet e fundit. Këtë e pohon edhe Jeton Neziraj, Drejtori i Qendrës Multimedia dhe autor i festivalit.

Në fakt ka shumë syreshë që në muajin maj vijnë në Prishtinë enkas për të ndjekur festivalin “Polip” që çdo vit prej 2010-ës mbahet në datat 10-13 maj.
Kurse ata që kanë qenë një herë në festival, qoftë autorë, të ftuar apo publik, me siguri që e përsërisin eksperiencën të paktën për të dytën herë, sepse me të vërtetë Prishtina në maj, ditët e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë kthehet në një festë të madhe.

“E dua shumë Prishtinën, veçanërisht “Polip”. Sa herë gjej rast nuk mungoj”- mbaj mend të më thoshte Ralph Hammerthaler, dramaturg gjerman që jeton në Berlin, i cili ka qenë dy herë shkrimtar në rezidencë për disa muaj në Prishtinë. Në 2016-ën e shijoji shumë festivalin “Polip”.
Çdo vit më parë Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë në Prishtinë e çelte siparin në skenën e Qendrës Multimedia.

Këtë vit u zhvendos në amfiteatrin e fakultetit të Arkitekturës, Modalarium.

“Këtë vit për habi na ka mbështetur financiarisht Ministria e Kulturës. Dhe mendova kushedi ç’ndodhë mandej… E për të qenë më të mbrojtur vendosëm ta çelim këtu festivalin, në Modalarium pranë Ministrisë së Arsimit”- tha me shpoti Jeton Neziraj, i cili mbi të gjitha është dramaturg dhe subjektet e dramave të veta janë prej realitetit të hidhur të shqiptarisë, Ballkanit, përmes të cilave Jetoni godet fort me të gjitha mjetet dhe figurat letrare që disponon klasën politike dhe faktorin ndërkombëtar.

“Literary deal” ose “Ujdia Letrare” është kuisentenca e këtij edicioni të festivalit, që siç e shpjegoi Jetoni më herët, në një intervistë të disa ditëve më parë për gazetën “Si”, merr nxitje nga realiteti politik i zymtë që ka përfshirë trojet tona.

“Kur thuhet "marrëveshje" kryesisht mendohet për ndonjë"punë", e në Balkan edhe për ndonjë "punë të leverdishme" e cila realizohet përkundër rrethanave të pafavorshme politike. Kur thuhet “letërsi e shkëlqyer” kryesisht mendohet për librat nga top listat e bestsellerëve, e në Ballkan mendohet edhe për librat të cilët kanë arritur t’i kalojnë kufijtë të cilët i kanë vendosur monopolet tregtare të një vendi. Të rrallë janë ata që mendojnë për marrëveshjen apo për letërsinë që, përkundër rrethanave të pafavorshme e shpeshherë edhe të pamundura, kanë arritur ta ndryshojnë ambientin politik, konstelacionin politik, kanë arritur ta hapin tregun e ideve e bankave t’ua dirigjojnë një mënyrë tjetër të të bërit biznes, botuesve t’ua ndryshojnë perspektivën ndërsa autorëve t’u mundësojnë takime me kolegët e tyre që deri dje ishin të paimagjinueshme”- do të thoshte Jetoni në atë intervistë.

E në fakt e mbështes krejtësisht sepse “Polip” është një “bankë” e LIRË e vërtetë mundësish që nuk ke nevojë për kartë krediti a debiti, apo password për të çelur mendjen a mundësitë jashtë zonës së komfortit. Asgjë nuk ndodh nga zyra, nga shtëpia, nga qyteti yt nëse nuk përjeton eksperienca, nëse nuk prek mundësi, nëse nuk takon të ngjashmit e të pangjashmit e tu. Në çdo rast shkëmben dhe mëson e çdo herë je më i pasur, qoftë me një buzëqeshje sepse atmosfera gjatë ditëve të “Polip” të bën të zhvishesh ndaj çdo kompleksi, të heqësh çdo barrierë e të shfrutëzosh çdo mundësi për njohje dhe njohuri.

Ti ndalon me njerëz, prezantohesh, bisedon, ndan pikpamje e nëse ke një produkt : libër, a çfarëdo, e shkëmben dhe atë për të marrë përshtypje.
E mandej ndani qasjet për Kosovën, Shqipërinë, Ballkanin, qasjet politike, diplomatike e letrare sigurisht gjatë një mbrëmjeje të vonë në një nga lokalet trend në Prishtinë, të cilët nuk janë të paktë, por ajo që vërehet është autenticiteti i tyre.

Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik u çel prej Gani Jakupit dhe Agron Bajramit. Mandej performuan shkrimtarët e të dy festivaleve; Lindita Ahmeti poete prej Maqedonisë, Sreten Ugricic, Tanja Raich, Sarah Hehir dhe mysafir i veçantë qe Besnik Mustafaj.
Gjatë bisedës me të dhe me Shkëlzen Maliqin, më herët përpara se të niste festivali po diskutonim për protokollet në takimet diplomatike dhe Mustafaj çeli torbën e kujtimeve.
“Kur takon mbretëreshën e Anglisë, detyrimi është që të veshësh kostum të zi ose blu dhe kravatë. Kurse mbaj mend kur isha në Portugali për vizitë zyratre, protokolli ishte strikt dhe i rreptë, shumë më shumë se i Monarkisë. Duhej të visheshe me frak. Ku të gjeja frakun? Ishte shumë i shtrenjtë dhe buxheti nuk ma lejonte. Më shpunë tek Teatri i Operas që rrobaqepsja e rekuizitave të mund të më sajonte diçka që ta merrja me qira. Ishte interesante se veshjet ishin konceptuar në mënyrë praktike që ti bënin të gjitha masave. Një tegel që shqepesh dhe qepej sipas masës së personit që e vishte.”- tregoi Mustafaji.

Gjatë festivalit Mustafaji lexoi një pasazh të romanit të tij më të ri që e ka përfunduar pak javë më parë dhe aktualisht është në duart e botuesit i cili është duke e lexuar, “prandaj mund ta quajmë si një pre premierë” – tha Mustafaji gjatë prezantimit.

“Nëna ime ka shkelur për herë të parë në një zyrë shtetërore kur u martua. Në zyrën e Gjendjes Civile. Për të lidhur me të fatin edhe para ligjit”…do të niste do të niste ai të lexonte një pasazh të shkurtër prej romanit.

Pas leximeve të gjithë autorët dhe publiku pjesëmarrës ishin të ftuar të ndiqnin performancën live të artistit serb që jeton në Kroaci, Ilija Ludvig në një mjedis të çelur rishtazi në Prishtinë “Menza e Ramiz Sadiku”. Siç më tregoi gjatë një komunikimi të shkurtër një prej pjestareve të familjes që aktualisht e ka këtë pronë, kjo ka qenë mensa e punëtorëve në kohën e ish Jugosllavisë e ndërtuar që në vitet 60”. Punëtorët hanin aty dhe ndiqnin performanca në podium. Struktura është ruajtur me autentiken, por i janë shtuar elementë të modernitetit.


Ilija Ludvig

Festivali vazhdon deri të hënën dhe performancat nuk ndodhin në nje destinacion të vetëm, por në shumë pika të Prishtinës dhe rrethinave.
Dita e sotme përpos performancave letrare do të ketë diskutime panelistësh me tema “ Mosha e opinioneve” dhe “Rruga revolucionare”.
Mandej mbrëmja do të vazhdojë tek Soma Book Station një mjedis moderr i Klubit Librari shumë i preferuar jo vetëm nga prishtinalitë, por sidomos nga turistët e të gjithë trevave dhe vendeve.

Prishtina sugjeroj të vizitohet në maj sepse e ka tashmë të ndezur atmosferën e festës. Nuk lodhesh për të kërkuar aktivitete sepse afishet e “Polip” mund ti shquash kudo nëpër qytet dhe përpos që mund të vizitosh Bibliotekën Kombëtare e cila cilësohet si arkitektura më e keqe, Katedralet, Prishtinën e Vjetër dhe të Re, Muzeun, Galerinë e Arteve, Parkun Gërmijë, mund të përzgjedhësh aktivitet letrare të “Polip” e ti bashkohesh grupit që feston edhe në mbrëmjet e vona në Soma, Ditë e Natë, Manza e Ramiz Sadikut, tek Xhoni, etj.

Kuzhina kryesisht është tradicionale shqiptare, e bazuar në brumra dhe yndyrë, por ka shumë alternativa që mund të përmbushin shijet dhe nevojat tuaja.
Në Papirun mund të gjesh supa të freskëta (krem brokoli, karrotë, kërpudha), sallata, sallata të ftohta dhe ushqim të shpejtë të freskët.
Për vegjetarianët dhe veganët një miku im kosovar me shqetësim më tha se nuk kishte shumë alternative. Por unë kam qenë në Papaganush dhe atje hahet mirë ushqimi vegan dhe vegjetarian.

Nëse do kërkoni kafe, thoni espresso, përndryshe do të vijë diçka, që gjithsesi do të jetë shumë e mirë, por jo kafe ekspres.
Nëse do të doni pica, zgjidhja është Proper dhe serviret me ullinj të zinj, ketch up, majonezë dhe speca djegëz të freskët. Properin tashmë e gjen në bulevardin qendror, në anë të majtë duke ardhur për nga Grand Hotel.

Por nëse do të doje një darkë nën dritën e qirinjve, ke shumë alternative Pishat në qendër, Liburnia, Perla tek Linda, etj. Në Prishtinë gjen lehtë restorante me gatime tradicionale, gatime peshku, kuzhinë italiane, turke, etj. Vendasit janë shumë të disponueshëm të të drejtojnë e të të shoqërojnë, por Trip Advisor do të ishte një ndihmesë e konsiderueshme për përzgjedhjen e restorantit dhe jo vetëm.

Prishtinën e këshilloj të vizitohet në maj edhe për shkak të motit sepse i nxehti është ende pak larg dhe i ftohti është i këndshëm. Prishtina nuk ka lagështi e prandaj i ftohti nuk ndjehet si në Tiranë.

Mirësetëbujtni në Prishtinë!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë