Art dhe Kulture

Prishtinë, Covid-19 shtyn Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë “Polip”

Këtë vit Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë “Polip” që zhvillohet cdo muaj maj prej 10 vitesh, nuk do të mund ta festojë Jubileun e vet.

Qendra Multimedia në Prishtinë me drejtues dramaturgun Kosovar Jetonb Neziraj,  që e organizon këtë festival prej një dekade në Prishtinë ka njoftuar shtyrjen e tij për në vjeshtë.

 “Këtë vit, sikur tradicionalisht tash e dhjetë vite, po përgatiteshim për të shënuar edicionin jubilar të polip - Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë. Në këtë përvjetor të dhjetë të polip-it, i cili ishte paraparë të mbahej ndërmjet datave 8 dhe 11 maj, 2020 - teksa ne po përgatiteshim duke u marrë me punët e rëndomta të festivalit: përkthimi i punëve letrare të autorëve mysafirë; aranzhimi i diskutimeve, takimeve, leximeve e mbrëmjeve muzikore; aranzhimi i udhëtimeve e akomodimit të mysafirëve - bota filloi të përballet me përhapjen e virusit COVID-19”- citon njoftimi i Qendrës Multimedia në faqen zyrtare në Facebook.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, stafi artistik dhe ai menaxherial i festivalit, kanë pasur takime të rregullta dhe kanë përcjellë situatën nga afër, duke shpresuar se kësaj sfide me të cilën po përballet e gjithë bota, do t’i vijë fundi më herët. Fatkeqësisht, thonë drejtuesit e Festivalit, duke parë hovin e përhapjes së virusit në botë dhe në Kosovë, jemi të detyruar ta shtyjmë festivalin, me shpresë që atëherë bota do të jetë në një vend më të mirë.

“Autorët e poetët nuk mund të jenë asnjëherë të shkoçitur nga ngjarjet të cilat preokupojnë shoqërinë, mirëpo ngjarje të jashtëzakonshme si kjo, me të cilën po ballafaqohemi, le të na shërbejnë për reflektim dhe me shpresë, për shpërthim artistik.”- shkruajnë drejtuesit e festivalit në njoftimin që i bëjnë publikut dhe ndjekësve të tij.

Për dhjetë vite me rradhë, polip-i është shndërruar në një fole ku janë ndërtuar miqësi të përjetshme. Në këtë kohë, më shumë se kurrë më parë, ua dijmë vlerën miqësive që kemi krijuar ndër vite dhe për këtë, thotë stafi i festivalit, ju jemi përjetësisht mirënjohës duke e ftuar publikun që ta shfrytëzojë këtë kohë për t’i ushqyer këto miqësi dhe për të krijuar miqësi të reja duke u afrouar më shumë me njëri-tjetrin, duke u afruar më shumë me veten.

Në nder të kësaj miqësie, citojnë ata, ne ju inkurajojmë të vazhdoni të prodhoni artin tuaj të fjalës, dhe atë ta ndani me sa më shumë miq në këto ditë kur kjo është më e nevojshme se kurrë. Ju ftojmë të jeni bashkë duke qenë ndaras.

Stafi tregon se do të punojë fort dhe me shumë vullnet që në vjeshtë të festohet Jubileu i Polip.

Ekipi u bën thirrje ndjekësve që të qëndrojnë në shtëpi.

Vitin e kaluar në Prishtinë “Polip” u mbajt në datat 10-13 maj, ku një nga përfaqësuesit e Shqipërisë  qe shkrimtari Besnik Mustafaj.

Në atë kohë, në një intervistë për gazetën “Si”, drejtuesi Jeton Neziraj me modesti do të thoshte se ajo që priste ishte thjesht “një festival i mbarë – kjo nënkupton, mot të mirë, publik fantastik si zakonisht, raki e qef… Pra, pres një festë të mbarë letrare.” duke shpresuar që edhe në Jubileun e tij Festivali të përjetojë të njëjtën gjë me shkrimtarët dhe arstistët që vijnë nga anembanë botës dhe e kthejnë Prishtinën në një vend “ahengu” letrar dhe frymëzimi shpirtëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë