Futboll

Prishtina fiton Superkupën e Kosovës, mund Dritën në finale

Superkupa e Kosovës në futboll është fituar nga Prishtina, që ka mundur Dritën 3-1. Ndeshja është zhvilluar në Turqi, në Antalia, ku skuadrat po zhvillojnë përgatitjet dimërore. Kjo është hera e 10-të që skuadra e Prishtinës e fiton këtë trofe.

Prishtina kaloi në avantazh vetëm pas 3 minutash lojë, kur Zyba realizoi me kokë, pas një krosi nga këndi. Drita reagoi mirë dhe barazoi shifrat me Rexhën, pas një gabimi të portierit Haxho. Por avantazhi i Prishtinës nuk vonoi shumë, në të 21-ën Besnik Krasniqi shënoi me penallti, të cilën e fitoi Abazi. Goli i tretë për Prishtinën do të shënohej në minutat shtesë nga Shillova.

Në këtë ndeshje janë aktivizuar titullarë edhe tre futbollistë shqiptarë, Gledi Mici dhe Sabien Lilaj për Prishtinën, të cilët në fund kanë festuar, si dhe Erjon Vucaj me Dritën. Po ashtu, me dy skuadrat aktivizohen edhe shumë futbollistë kosovarë që në të kaluarën kanë luajtur edhe në Superioren tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë