Libra

‘Princi i Vogël’ mbush 80 vjeç

Breza të tërë lexuesish janë magjepsur nga libri filozofik për fëmijë i Antoine de Saint-Exupery. Por çfarë e bën atë kaq të veçantë?

“Princi i Vogël” flet për një djalë, që jeton në një planet shumë të vogël, së bashku me një trëndafil, dy vullkane aktive, një vullkan të shuar dhe fidanë baobabi. Nuk shkon mirë me lulen; trëndafili është i mërzitur dhe i pakëndshëm.

Kështu, ai vendos të shkojë në një udhëtim, duke eksploruar shtatë planetë. Ndalesa e fundit është Toka, ku ai takohet me një pilot, aeroplani i të cilit është rrëzuar në shkretëtirë.

“Princi i Vogël” ishte libri i fundit i aviatorit Antoine de Saint-Exupery. Libri trajton dilema vërtet të mëdha, si dashuria, vetmia dhe vdekja. Ai u botua në Nju Jork në vitin 1943 dhe tre vjet më vonë, autori i famshëm, i cili lindi në Lion në vitin 1900, ishte zhdukur. Piloti nuk u kthye nga një fluturim zbulues mbi Mesdhe në 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Autor dhe pilot profesionist

Karriera fluturuese e Saint-Exupery filloi me fluturimet e vizitorëve mbi Paris për turistët. Në vitet 1920, ai fluturoi në linjën Toulouse-Casablanca-Dakar, duke u bërë përfundimisht drejtuesi i një fushe aviacioni në Marokun jugor, i cili ishte nën kontrollin spanjoll në atë kohë. Ai shpesh shpëtoi kolegët, që kishin bërë ulje emergjente në shkretëtirën e Saharasë.

Jo vetëm që jeta e tij si pilot lexohet si një histori aventure, por Saint-Exupery shkroi gjithashtu një numër librash. Megjithatë, ndonëse iu dhanë shumë çmime letrare, ai gjithmonë e shihte veten para së gjithash, si një pilot profesionist.

Libri përjetësoi një pjesë të jetës së autorit. Ashtu si tregimtari, edhe Saint-Exupery ishte përplasur një herë mbi një shkretëtirë dhe duhej të mbijetonte për ditë pa pirë ujë, derisa u shpëtua.

Mbi 200 milionë kopje të “Princit të Vogël” janë shitur. Libri është përkthyer në rreth 340 gjuhë dhe dialekte, duke përfshirë ato të Inuit, Tuareg dhe Maya, si dhe në Klingon, nga seria televizive “Star Trek”.

“Vetëm me zemër mund të shihet drejt”

“Vetëm me zemër mund të shihet drejt; ajo që është thelbësore është e padukshme për syrin” është ndoshta citati më i famshëm i librit.

Krahas mendimeve për dashurinë, miqësinë dhe vdekjen, përralla përmban edhe kritika shoqërore. Princi i vogël udhëton në gjashtë planetë, para se të mbërrijë në Tokë.

Në çdo asteroid, ai përjeton takime surreale: Një monark që kërkon subjekte; një pijanec që pi për të harruar sa shumë pi; dikush që ndez dhe fikë llambat e rrugëve në një vend që përjeton 1440 perëndime dielli gjatë një periudhe 24-orëshe; një njeri i kotë që dëshiron të admirohet; një gjeograf që shpjegon botën por nuk e ka parë atë; një biznesmen që mendon se zotëron universin.

“Të gjithë të rriturit kanë qenë dikur fëmijë – edhe pse pak prej tyre e mbajnë mend atë,” shkruan Saint-Exupery në fillim të përrallës së tij. “Princi i Vogël” na kujton ndjesinë e fëmijërisë ndoshta më shumë se çdo libër tjetër – dhe ndoshta kjo është arsyeja pse ai ka qenë një bestseller në mbarë botën për 80 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë