Mjedis

Princ Harry ngre agjenci udhëtimesh miqësore me mjedisin

Gjatë dekadës së fundit, udhëtimet jashtë kufijve janë shtuar: Vitin e shkuar njerëz nga e gjithë bota ndërmorën më shumë se 1.4 miliardë udhëtime ndërkombëtare dhe deri në vitin 2030 pritet që ky numër të arrijë shifrën 1.8 miliardëve. Dhe ndërkohë që udhëtimet janë fantastike, janë edukative, mund të na hapin sytë dhe mbi të gjitha janë me të vërtetë qejf, ato gjithashtu mund të shkaktojnë probleme të tilla si mbipopullimi i qyteteve historike si Dubrovniku, krizat e sigurisë publike në fushat me lule të Kalifornisë apo dëmi që i është shkaktuar Machu Picchu-t.

Për ta shmangur këtë, duka i Sussex, Princ Harry, sapo ka ndërmarrrë një nismë të re, Agjencinë Travalyst. Qëllimi i tij është t'i bëjë udhëtimet më miqësore me mjedisin, të jetë i dobishëm për komunitetet lokale dhe të ketë ndikim të ulët.

“Udhëtimi ka fuqinë e pakrahasueshme për të hapur mendjet e njerëzve mbi kulturat e ndryshme, mbi eksperiencat e reja dhe bën të mundur që ata të kenë një vlerësim të thellë mbi atë çka bota jonë na ofron”, tha ai në një deklaratë. “Ndërsa turizmi po rritet në mënyrë të pashmangshme, është tepër e rëndësishme të përshpejtohet miratimi i praktikave të qëndrueshme në të gjithë botën, dhe ta balancojmë këtë rritje me nevojat e mjedisit dhe popullit lokal”. Dhe atë nuk po e mbështet vetëm pallati mbretëror, disa kompani udhëtimesh me peshë si ‘TripAdvisor’, ‘Booking.com’, ‘Visa’, ‘Ctrip’ dhe ‘Skyscanner’, janë të gjitha partneret e tij në këtë program.

Edhe pse Pallati Buckingham tha se detaje të tjera më specifike do thuhen më vonë, ne e kemi një ide mbi atë çka Travalyst do të promovojë. Në një njoftim për shtyp deklarohej se “do mbështeteshin komunitetet lokale, do mbrohej bota e egër, do trajtoheshin ndryshimet klimaterike dhe dëmet e mjedisit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë