Financa Personale

Primet për sigurimin e ndërtesave nga tërmetet mund të rriten

Kompanitë e sigurimit janë duke bërë llogaritjet e tyre dhe do të ndërtojnë portofolë të rinj për sigurimin e ndërtesave nga tërmetet. Sipas punonjësve të kompanive të ndryshme të sigurimit tërmeti i 21 shtatorit e më pas ai i 26 nëntorit ka tronditur e traumatizuar qytetarët kudo ndodhen në Shqipëri.

Disa syreshë u janë shkatërruar shtëpitë, të tjerëve u janë dëmtura rëndë, e disa të tjerëve lehtë.

Një pjesë kanë përfituar nga sigurimi, pjesa më e madhe jo, por ajo që konfirmojnë punonjësit e kompanive të sigurimit është që njerëzit duken të ndërgjegjësuar dhe ka pasur shumë kërkesa për sigurimin e shtëpive.

Aktualisht primi për sigurimin e një banese (apartament a shtëpi) nga tërmeti llogaritet 0,5/1000 x me vlerën e sigurimit. Pra për një shtëpi që kushton 100 mijë euro, paguhet sigurim vetëm 50 euro në vit.

Por kjo mënyrë llogaritjeje përdorej deri më 21 shtator pasi tërmeti nuk konsiderohej si rrezik potencial. Me ngjarjen e dy tërmeteve, që shkaktoi viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale, kompanitë e sigurimit po rishikojnë portofolët e sigurimit për të rivendosur tarifa të reja sigurimi të ndërtesave nga tërmetet duke e konsideruar tërmetin si rrezik potencial.

Prandaj mund të ketë edhe rritje çmimesh për policat e reja të sigurimit, për të cilat kompanitë e sigurimit po diskutojnë dhe nesër ( të shtunën) kanë një takim në AMF.

Sepse, thonë eskspertët, sigurimi i banesës nga tërmeti nuk presupozon vetëm godinë, por edhe paisjet, etj.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare për periudhën janar- tetor 2019 tregojnë se në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive siguruan mbi 2,006 milionë lekë të ardhura në total. Vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 71.91%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësi të përgjithshme civile me 17.76% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar- tetor 2019, vihet re një ulje prej 28.11% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 6.93% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar- tetor 2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë