Bilanci i tërmetit të 26 nëntorit për ndërtimet deri më sot (të enjten) rezulton; Shtëpi të shembura:1183, shtëpi të dëmtuara rëndë: 5497, pallate të dëmtuara rëndë: 558, pallate të pabanueshme: 20 (Tiranë).
Nuk ka një të dhënë ende se sa prej tyre zotërohen nga familje apo biznese që kanë një kredi ende për të shlyer në bankë. Por me siguri ata mendojnë se si do të procedohet me kredinë; a do të vazhdojnë ta paguajnë , a e mbulon siguracioni i paguar në funksion të kredisë edhe pagesën për dëmin dhe nëse do tu mbeten nga siguracioni para shtesë për ti përdorur për një banesë të re?
Edvin Libohova nga Shoqata e Siguruesve sqaron për gazetën “Si” se ekzistojnë disa mënyra për të siguruar një shtëpi nga tërmeti dhe masën e përfitimit në secilin rast.
Sipas Libohovës, masa e përfitimit nga siguracioni i shtëpisë, në këtë rast për tërmetet, varet nga shuma e siguruar.
E përgjithshmja, shpjegon Libohova, është se shqiptarët nuk e sigurojnë në mënyrë vullnetare vetë shtëpinë, kryesisht ua detyron banka për hesap të kredisë.
“Dhe banka është e interesuar të transferojë riskun e kredisë dhe gati në të gjitha rastet sugjeron këtë lloj sigurimi të barabartë me shumën e marrë si kredi. Sepse shuma e kredisë në asnjë rast nuk është e barabartë me vlerën e shtëpisë. Shtëpia kushton më shumë se vlera e kredisë”- thotë Libohova.
Në rastin e sigurimit të shtëpisë sa vlera e kredisë, për shembull; për një shtëpi që kushton 100 mijë euro, shuma e marrë e kredisë është 80 mijë euro dhe 20 mijë euro i ka paguar personi nga kursimet e veta.
Niveli maksimal në këtë rast i sigurimit të shtëpisë është 80 mijë euro për efekt të kredisë.
Primi i sigurimit çdo vit paguhet mbi vlerën e mbetur të kredisë.
Kredia është marrë për një afat maturimi 20 vjeçar. Klienti ka shlyer 40 mijë euro për 10 vite. Në këtë moment ndodh një tërmet dhe apartamenti i personit është i pabanueshëm, pallati do të shembet.
Në këtë moment kompania e sigurimit i shlyen bankës 40 mijë euro dhe klienti i mbyll marrëdhëniet financiare me bankën duke e shuar detyrimin që ka ndaj saj, por nuk përfiton asgjë më shumë.
Nëse qytetari do të kishte vendosur që të siguronte shtëpinë nga tërmetet për vlerën e plotë të shtëpisë, pavarësisht shumës së kredisë, pra të siguronte banesën e vet për shumën 100 mijë euro, në rastin e ndodhjes së fatkeqësisë natyrore, kompania e sigurimit do ti kthente bankës 40 mijë euro, qytetari nuk do të kishte detyrim më ndaj bankës për pjesën e mbetur të kredisë dhe do të përfitonte nga siguracioni edhe 60 mijë euro të tjera që mund të blinte një apartament të ri apo të merrte edhe një kredi të re për të plotësuar shumën.
Në çdo rast, në varësi të përllogaritjes nga kompanitë e sigurimit, shumës së përfituar nga siguracioni i zbritet koeficienti për amortizimet e banesës dhe llogaritje të tjera që vetë kompania gjykon 3-15%.
Të njëjtin shpjegim jep edhe Shoqata e Bankave, që thotë se është vetë individi që zgjedh se në çfarë mënyrë do të sigurojë shtëpinë: me shumën e plotë të shtëpisë, apo vlerën e mbetur të kredisë. Pra ka rëndësi që secili individë që ka marrë kredi dhe ka pësuar dëmtime nga tërmeti të shikojë edhe njëherë se çfarë marrëdhënie sigurimi ka vendosur me bankën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.