Futboll

Prezantohet Daja: Vlerësim e përgjegjësi, t’i shtojmë trofetë Partizanit

Ilir Daja merr zyrtarisht drejtimin e Partizanit. Trajneri kryeqytetas do të drejtojë për herë të parë në karrierë ekipin e kuq. Prezantimi i tij është bërë sot nga drejtori i klubit, Olsi Rama. Gjatë prezantimit, Daja ka folur për atë çfarë synon të arrijë me Partizanin, duke evidentuar si detyrë të parë mbushjen e boshllëqeve të krijuara nga disa largime me lojtarë që të përfaqësojnë denjësisht fanellën e kuqe.

“Nuk duam të punojmë nën presion te Partizani, duam të hapim një cikël të ri, të qëndrueshëm dhe për këtë kemi dakordësi me trajnerin Daja. Nuk duam të fitojmë një kampionat dhe më pas të zhgënjejmë, siç na ndodhi sezonin e fundit. Duam të kemi një ecuri konstante, duke pasur si objektiv lojën e më pas rezultatet”, - theksoi mes të tjerash drejtori Olsi Rama në fjalën e tij. Ai dha edhe lajmin se në fund të muajit Partizani mund të nisë stërvitjen në kompleksin e tij të ri.

“Shpresoj të jetë një bashkëpunim sa më të gjatë, por për trajnerin vendosin gjithmonë rezultatet, aq më tepër duke ditur edhe tipin tim. Stafi teknik? Ashtu siç lojtarët që do t’i bashkohen Partizanit do të prezantohen ditët në vijim, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me pjesëtarët e stafit tim. Kam 25 vjet trajner, por ka një dozë emocionale të madhe kur vjen te një klub i madh. Te Partizani ka shumë pritshmëri nga të gjithë, Partizani është vlerësim dhe përgjegjësi. Është një klub me shumë trofe dhe presioni për të arritur nivelet maksimale është prezent.

Do mundohemi të gjithë bashkë, pasi çelësi i suksesit është bashkëpunimi. Jam i gëzuar që më është besuar ky projekt, falënderoj presidentin dhe drejtorin. Po të shikoni investimin, kuptohet që nuk është një projekt sot për sot, por për të ardhmen ky te Partizani. Skënderbeu? Ka pasur sukses në kampionatin shqiptar dhe në Europë. Nuk është problem i madh që lëviz, në çdo klub dua të marr maksimumin. Këtë do bëj dhe te Partizani. Te çdo klub kam fituar respektin e tifozëve, por edhe të kundërshtarëve. Ky jam unë. Kam fituar 3 kampionate me 3 ekipe të ndryshme. Jam i vetmi trajner që kam drejtuar të 3 ekipet të kryeqytetit. Trajneri është tifoz me ekipin që drejton dhe gjithë energjitë i përqendron aty.

Mendësia i fituesit përçohet kudo dhe uroj të marrim trofe të tjerë në futbollin shqiptar. Partizani ka fituar 16 herë titullin, shpresojmë ta fitojmë sërish. E dëgjova drejtorin me vëmendje dhe objektivi konkret do të shpallet kur të fillojë kampionati. T’i marrim gjërat hap pas hapi është më mirë të realizojmë objektivat afatshkurtër para atij afatgjatë”, - u shpreh trajneri Ilir Daja gjatë prezantimit.

Ilir Daja më parë ka drejtuar Dinamon, Elbasanin dhe Skënderbeun, më të tria këto skuadra është shpallur kampion i Superiores, por edhe Tiranën dhe Besën. Arritja më e madhe e këtij trajneri është faza në grupe e Ligës së Europës me Skënderbeun. Tani për të nis një cikël i ri te Partizani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë