Politike

Presioni ndaj Tsipras që po shtyn “detin”

Një muaj më parë mediat greke dhe më pas ato në Tiranë raportonin në masë se bisedimet mes Shqipërisë dhe Greqisë për të gjitha çështjet e hedhura në tryezë ishin drejt fundit, madje kishte edhe nga ato që vinin si afat përfundimtar të firmosjes nga kryeministrat Edi Rama e Alexis Tsipras mesin e korrikut.

Mesi i korrikut kaloi dhe pushimet e verës janë përpara. Asnjëra prej palëve nuk po flet më për një afat konkret, por flasin për nënshkrim në një “të ardhme të afërt”.

Çfarë ndryshoi?

Greqia nënshkroi me Maqedoninë marrëveshjen për çështjen e emrit. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, që duhet të kalojë me referendum në Shkup, emri i dakordësuar është Maqedonia Veriore.

Pikërisht futja e emrit “Maqedoni” ka shtuar kundërshtarët e Alexis Tsipras në Athinë. Ekstremistët e akuzojnë për tradhti, kërkojnë dorëheqjen e tij e madje edhe vendosjen para drejtësisë.

Kundërshtarët politikë, kryesisht Demokracia e Re dhe ekstremistët e djathtë akuzojnë Kryeministrin grek se ka lëshuar shumë ndaj Shqipërisë, duke i falur territor detar që i takon Greqisë.

Mediat greke thonë se në një situatë të tillë duket se Tsipras është tërhequr në moment të fundit nga firmosja e marrëveshjeve, që mund të kishte ndodhur edhe në Londër, gjatë samitit të zhvilluar në kuadër të Procesit të Berlinit.

A po negociohet?

Zyrtarisht në Tiranë dhe Athinë thonë se vazhdojnë negociatat mes grupeve teknike të negociatorëve. Kryeministri grek, Alexis Tsipras thotë se kufiri detar dhe ligji i luftës janë dy çështjet e vetme që ndodhen ende në tryezë.

Por, në logjikën e lajmeve që qarkulluan fillimisht në Athinë për tërheqjen e Tsipras nga firmosja e dokumentit përfundimtar i bie që marrëveshjet të jenë mbyllur dhe palët presin vetëm vulosjen.

Në Tiranë opozita ka folur disa herë për një mbyllje të marrëveshjes, madje ish-Kryeministri Sali Berisha deklaron se në tryezë palës shqiptare i është imponuar zgjidhja dhe nga pakti vendi ynë i fal Greqisë fushat e gazit dhe të naftës në Detin Jon.

Një tjetër pikë që kundërshtohet fort është edhe heqja e termave “çam” dhe “Çamëri”. “Edi Rama është si Esat Pasha harroi çamët”, deklaron kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Nga Qeveria nuk kanë reaguar për këto akuza, ndërkohë që Ministria e Jashtme është shumë hermetike për këtë temë. “Grupet e negociatorëve teknikë po vazhdojnë bisedimet”. Vetëm kaq thuhet zyrtarisht nga kjo ministri.

Sinjali i vërtetë që marrëveshja ka përfunduar dhe palët janë gati për të nënshkruar atë do të jepet në momentin kur do të kërkohet një tjetër autorizim nga Presidenti Meta, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese kur rrëzoi paktin e vitit 2009.

“Në momentin që do të hidhen negociatat në planin teknik më pas në bazë të ligjit do kërkojmë Presidentit autorizim për firmosjen e kësaj marrëveshje. Por pavarësisht si është raportuar negociata nuk kanë përfunduar, jemi proces bisedimesh dhe besoj do të kemi një marrëveshje në një të ardhme të afërt”, thotë ministri i Jashtëm, Ditmi Bushati.

I vetmi që ka folur vazhdimisht me afat konkrete ka qenë Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn. Si në Bruksel, por edhe gjatë ndalesës në Tiranë, ku mori pjesë në nisjen e punës përgatitore për hapjen e negociatave, Komisioneri ripërsëriti këtë të martë afatin dyjavor dhe tha se është keqkuptuar në lidhje me deklaratën për ndryshime kufijsh.

“Më vjen keq që ka pasur keqkuptime, sepse kjo ka pasur të bëjë me sqarim me vijën kufitare dhe asgjë më shumë e asgjë më pak dhe nuk është një çështje e madhe. Unë jam i bindur se pas nja dy javësh gjithçka do të bëhet. Mund të bëhet!”, u shpreh ai në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama.

Vetë Rama nuk flet për afate dhe në dukje nuk ishte aq optimist sa miku i tij europian.

"Në domeinin publik ka “tradhtarë” në të dy anët. “Tradhtarë” në qeverinë greke, “tradhtarë” në qeverinë shqiptare. Pra, kjo do të thotë për mua që nëse të dy palët “tradhtojnë” vendet e tyre, e bëjnë që të gjejnë zgjidhje në interesat më të mira të vendeve dhe popujve të tyre për strategjinë shumë të rëndësishme të fqinjësisë së mirë. Ne kemi bërë mjaft progres, ka gjëra që mbulojnë 70 vite histori, që nga ligji i luftës deri tek polemika e përcaktimit të kufijve detarë, por nuk kemi arritur ende aty", deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë