Politike

Presidentja e Sllovenisë me Begajn: Shqipëria të bëjë detyrat e BE-së. Ka mbështetjen tonë!

Nga Gazeta 'SI' - Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, në një konferencë për shtyp tha se Shqipëria duhet të bëjë me mençuri ‘detyrat’ e saj për t’u bërë pjesë e BE-së.

Për krah presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, Musar premtoi se vendi i saj do të jetë një mbështetje e Shqipërisë për integrimin në BE.

“Zgjedhjet evropiane janë shumë të rëndësishme. Parlamenti Europian është institucioni ku dëgjohet fjala jonë (e qytetarëve të BE-së) dhe varet shumë nga anëtarët e BE-së kjo gjë. Ky nuk është proces i lehtë, pasi më kujtohet edhe procesi i integrimit të Sllovenisë para 20 vitesh. Shpesh, edhe vullneti për të hyrë në BE zvogëlohet, siç është rasti i Maqedonisë së Veriut. Por, duhet të kemi mençurinë të bëjmë detyrat për të kryer procesin e integrimit. Mund të them se Sllovenia është një prej shteteve kyçe në votimin për integrimin në BE. ”, theksoi Musar teksa shtoi se Ballkani Perëndimor është jetik për Bashkimin Europian.

Ajo deklaroi se është e kënaqur nga lufta e Shqipërisë kundër korrupsionit.

Presidenti shqiptar, Begaj u shpreh se Shqipëria dhe BP janë vulnerabël ndaj aktorëve që ndikohën nga ngjarje të së shkuarës.

“Shqiptarët janë faktor stabilizues dhe kontribues në rajon dhe me orientim euroatlantik Maqedonia e Veriut e Mali i Zi janë në NATO. Kosova është drejt proceseve integruese. Ballkani Perëndimor mbetet vulnerabël nga aktorë që frymëzohen nga e kaluara për të projektuar një të ardhme që është larg Europës dhe vlerave demokratike. Agresioni rus ndaj Ukrainës është një sinjal alarmi për të zvogëluar rreziqet nga këta aktorë”, tha presidenti Begaj.

Më tej, ai propozoi një linjë direkte fluturimi Shqipëri-Slloveni për kontakte më të afërta midis vendeve .

“Shqipëria mirëpret investimet direkte sllovene. Ekonomia jonë është dinamike dhe në rritje. Ftoj sipërmarrësit sllovenë të investojë në Shqipëri në financë, bujqësi, teknologji, informacion e shumë fusha të tjera. Të rrisim kontakte mes qytetarëve tanë. Një linjë ajrore direkte do të ishte mundësi e mirë për shtim të kontakteve dhe rritje te numrit të turistëve. Bashkëpunimi midis dy vendeve tona është shumëdimesional dhe përfshin shumë fusha. Sllovenia mbetet një vend mik dhe marrëdhënien që kemi ta kultivojmë më shumë”, përfundoi presidenti i Shqipërisë.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Presidentja e Sllovenisë dhe delegacioni që e shoqëron pritet të vizitojnë disa pika tërheqëse turistike të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë