Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar ditën e mërkurë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka nderuar ekipin e futbollit “17 Nëntori” të vitit 1970 dhe Skënder Halilin, ish-lojtarin e shquar kryeqytetas. Në këtë ceremoni të veçantë është kujtuar ndeshja e famshme me “Ajax”-in e madh të atyre viteve, ku Tirana barazoi 2-2. Në atë kohë spikasnin emra të tillë si Mihallaq Konomi, Perikli Dhales, Gëzim Kasmi, Fatmir Frashëri, Niko Xhaçka, Ali Mema, Skënder Hyka, Arben Çela, Josif Kazanxhi, Mehdin Zhega etj.
Titulli “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” i është dhënë nga Presidenti Meta “17 Nëntorit” të vitit 1970 me motivacionin “Për rezultate të larta në futbollin shqiptar, duke paraqitur gjithmonë vlerat, shpirtin sportiv dhe konkurrencën e drejtë në sportin e bukur dhe popullor të futbollit, si dhe për përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare që kulmon në barazimin historik 2-2 në ndeshjen me ekipin e famshëm ‘AJAX’ të Amsterdamit, në Tiranë, më 16 shtator 1970”.

Me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” është nderuar ish-lojtari i shquar i Tiranës, Skënder Halili (pas vdekjes), me motivacionin “Për cilësi të rralla si qendërmbrojtësi model në historinë e futbollit shqiptar. Kampioni i mbrojtjes së ekipeve “Tirana”, “Dinamo” dhe atij Kombëtar. Me mirënjohje për aftësitë e larta profesionale në fushën e futbollit, mbrojtës i dinjitetit njerëzor dhe i vlerave qytetare”.

Në këtë ceremoni ishte e pranishme dhe skuadra aktuale e Tiranës, drejtuesit e saj, me në krye presidentin Refik Halili, si dhe disa ish-lojtarë të shquar bardheblu, mes tyre edhe Agustin Kola. “Atë ‘17 Nëntor’, unë dhe brezi im e njohin shumë mirë, edhe pse mund të kemi qenë kundërshtarë në shkallët e stadiumit. Përshëndetjen më të përzemërt e kam për të gjithë ju: sportistë, trajnerë, drejtues e tifozë të ekipit të futbollit ‘17 Nëntori të 1970-s’, por edhe të Tiranës së sotme”, – tha në fjalën e tij Presidenti Meta, i cili mori si dhuratë fanellën e Tiranës nga ish-futbollistët Luigj Bytyçi dhe Agustin Kola.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.