Futboll

Presidenti Ilir Meta nderon 4 figura të Partizanit dhe Kombëtares

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, duket se ka një lidhje të fortë me sportin. Kohët e fundit ai vazhdimisht ka nderuar me tituj të ndryshëm ish-sportistë të fushave të ndryshme dhe sot ishte radha e 4 emrave të njohur të Partizanit, Sulejman Starovës, Mikel Jankut (pas vdekjes), Ylli Shehut dhe Ilir Lames.

Titulli “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” i është akorduar pas vdekjes Mikel Jankut, ish-portier i shquar i Partizanit dhe Kombëtares. Një titull i akorduar me motivacionin “Në vlerësim jo vetëm të cilësive të një portieri të shquar, i cili e ka të gdhendur në historinë e futbollit shqiptar si “mburoja” e portës së “Partizanit” dhe e ekipit tonë Kombëtar, por edhe si gazetar dhe analist i shkëlqyer sportiv, i cili ka promovuar dhe mbrojtur me dinjitet e profesionalizëm vlerat sportive dhe qytetare”.

Ylli Shehu, duka marrë titullin nga Presidenti Meta. Gazeta Si, 16 tetor 2020

Me titullin “Mjeshtër i Madh” janë nderuar Sulejman Starova, i cili për arsye shëndetësore nuk ishte i pranishëm, Ilir Lame dhe Ylli Shehu. Starova ka qenë ish-lojtar dhe trajner i Partizanit, kurse Lame dhe Shehu ish-lojtarëve të ekipit të kuq në vitet ’80-90.

“Është shumë kënaqësi për mua të vlerësoj sot kontributin dhe karrierën e suksesshme, por dhe të lavdishme të futbollistëve të njohur të ekipit ‘Partizani’, por dhe ekipeve tona kombëtare, ikonave të futbollit shqiptar: Ilir Lame, mesfushori i hekurt dhe i pamposhtur i Partizanit; Sulejman Starovës, futbollisti inteligjent dhe i gjithanshëm, por edhe trajner dhe drejtues i suksesshëm, Ylli Shehu, sulmuesi brilant dhe golashënuesi spektakolar, si dhe të paharruarin Mikel Janku, ‘mburoja’ e portës së ‘Partizanit’ dhe ekipit Kombëtar, por edhe gazetari dhe analisti ekselent sportiv, që u nda nga jeta para pak kohësh.

Ju jam mirënjohës për ato kujtime të pashlyeshme, për ato emocione që keni përcjellë me lojën e talentin tuaj”, - tha mes të tjerash në ceremoni Presidenti Ilir Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë