Presidenti i zgjedhur i Brasilit, Jair Bolsonaro, njihet për karakterin e tij të hekurt dhe një nga premtimet e para pas fitores javën e shkuar ka befasuar jo pak njerëz.
Siç edhe “The Guardian” raportoi më parë këtë muaj, Bolsonaro ka në plan prerjen e pyjeve tropikale më të mëdha në botë dhe kritikët kanë frikë se do të “institucionalizojë genocidin” në Amazonë, që do të ishte një proces shkatërrimtar për të gjithë planetin. Ai gjithashtu ka treguar se ka në plan të eliminojë Ministrinë e Mjedisit të Brazilit, njoftoi revista Science.
Ai ka argumentuar se shumë zona të mbrojtura nga mjedisi po pengojnë zhvillimin e vendit, ndaj po mendon për hapjen e një autostrade përmes Amazonës, duke shkatërruar faunën dhe florën, por parashikon edhe dëbimin e organizatave joqeveritare mjedisore si “Greenpeace” dhe “Fondi Botëror i Kafshëve të egra” nga vendi.
Bolsonaro ka një histori me deklarata kundër homoseksualëve dhe cilësohet i dhunshëm e racist, por vetëm pak ditë pasi mori postin e Kreut të Shtetit, ai po synon të ndikojë edhe në politikat mjedisore të vendit, duke alarmuar shkencëtarët anembanë globit.
Si presidenti i Brazilit, Bolsonaro do të kontrollojë gati dy të tretat e Amazonës, “mushkrinë” e planetit Tokë dhe zonën më të madhe tropikale.
Shkencëtarë dhe ekspertë të natyrës janë alarmuar dhe nuk pajtohen me qëndrimet e projektit shkatërrues të Bolsonaros.
Disa njerëz vendës që jetojnë në pyll thanë se kanë frikë se më shumë druvarë dhe minatorë mund të shkojnë drejt shtëpive të tyre nën udhëheqjen e Bolsonaros.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.