Politike

Presidenti i PE: “Luftë civile” mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri?

Kriza politika në Shqipëri cilësohet nga ana e presidentit të Parlamentit Europian, Antonio Tajani si tejet e vështirë që mund të ketë ndikim në rajonin e Ballkanit.
Këto qëndrime Presidenti i PE-së, Tajani i mbajti në kuadër të një vizite në OKB në SHBA. Ai e quajti situatën në Shqipëri shumë të vështirë dhe stabilitetin e Ballkanit shumë të rëndësishëm për Europën.
Kryetari i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, sipas DW, e quan shumë të vështirë situatën në Shqipëri, ku ka filluar një "luftë civile”, midis qeverisë dhe opozitës.
Mbas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Tajani tregoi në konferencën e shtypit se ka folur me Sekretarin e Përgjithshëm, Antonio Guterres për Ballkanin. “Sepse Ballkani është një çështje me të cilën ne merremi vazhdimisht. Stabiliteti i Ballkanit është po ashtu stabilitet i Europës”. Ai shpjegoi se kanë folur për situatën në Shqipëri: "sepse situata është shumë e vështirë. Është "luftë civile” (në thojza) midis qeverisë dhe opozitës. Kjo është shumë e rrezikshme për stabilitetin”.
Kryetari i PE, thotë po ashtu se në Ballkan ”duhet të shohim çfarë investimesh vijnë nga jashtë rajonit. Aty bëhen investime me diferenca të ndryshme, jo vetëm europiane, por edhe ruse, arabe dhe turke. Kjo është lojë e vështirë”. Ai thotë se Europa duhet të jetë aktive, por edhe e matur në Ballkan. Ai ka vlerësuar situatën në Bosnje-Hercegovinë më kritike se në Kosovë.
Në konferencën e shtypit, presidenti i Parlamentit Europian, Antoni Tajani u pyet edhe për mundësinë e vendosjes së sanksioneve kundër presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodikut, në Bosnjë Hercegovinë. Tajani u përgjigj, se "nuk është një vendim që e marrim ne” dhe kërkon që të punohet për të arritur një zgjidhje të mirë, një marrëveshje midis palëve të ndryshme.

Tajani dhe Guiterrez

Më tej Tajani theksoi, se: "ne duhet të jemi të matur dhe të punojmë për të gjetur një zgjidhje. Ne si Parlament Europian jemi të angazhuar për paqe, në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në mbrojtje të ligjeve. Sa i përket sanksioneve ne duhet të jemi të matur, në këto momente”. I pyetur nga gazetarët, pse Bashkimi Europian nuk ka aprovuar heqjen e vizave për Kosovën, Tajani tha se kjo është një çështje e vendeve anëtare. Çështje të tjera që Tajani ka diskutuar me Guterres kanë qenë: Venezuela, Mesdheu dhe çështja e migrantëve, Afrika dhe lufta kundër terrorizmit, klima dhe konflikti Indi- Pakistan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë