Bota

Presidencialet në SHBA, Trump refuzon të marrë pjesë në debatet e Partisë Republikane

Donald Trump konfirmon se nuk do të marrë pjesë në debatet presidenciale republikane me rivalët e tij në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Ish-presidenti tha se një sondazh i fundit tregoi se ai kishte numra “legjendar” përpara kandidatëve të tjerë për të qenë kandidati i partisë së vjetër për zgjedhjet e vitit 2024.

“Publiku e di se kush jam dhe çfarë presidence të suksesshme kam pasur”, shkroi Trump në një postim në rrjetin e tij social.

Debati i parë presidencial republikan do të mbahet më 23 gusht. Ndërsa më pas do të ketë edhe të tjerë. Votimi për zgjedhjet primare brenda partisë Republikane nis në shtetin e Ajouas më 15 janar të 2024-ës.

Sondazhet kanë treguar vazhdimisht se Trump, i cili përballet me një sërë akuzash penale, është favoriti për të fituar nominimin brenda republikanëve.

Ish presidenti amerikan i ka cilësuar proceset gjyqësore të ngritura kundër tij një “gjueti shtrigash”, sipas tij me qëllimin për të penguar kandidimin e tij.

Mungesa e Trump në debatin e kësaj jave mund të bëjë që DeSantis të bëhet cak i sulmeve nga kandidatët e tjerë që kërkojnë të shihen si alternativa kryesore ndaj ish-presidentit Trump. Fituesi nga radhët e Partisë Republikane do të përballet me presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë