Lajme

Presidencialet në Maqedoninë e Veriut, garë e fortë mes Pendarovsksit e Silajnovskës

Pas mbylljes së procesit të votimit në orën 19.00, sondazhet paraprake në Maqedoninë e Veriut flasin për një garë të fortë mes dy kandidatëve për president: Stevo Pendarovskin, i nominuar nga Lidhja Social Demokrate dhe 31 parti tjera, përfshirë edhe Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit; dhe Gordana Silajnovska-Davkovës, të opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE. I treti renditet Blerim Reka, kandidat i propozuar nga dy partitë shqiptare të opozitës, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Presidenti mund të zgjidhet në raundin e parë, nëse ndonjëri nga kandidatët merr mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votave, por deri më sot kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, kështu që balotazhi për ata që do të rezultojnë dy garuesit kryesorë, është caktuar të mbahet në 5 maj.

Vendvotimet janë mbyllur në orë 19:00, ndërsa deri në ora 18:30, kishin votuar 662 827 votues, ose 39.71 për qind e elektoratit. Ky rezultat del nga 91,54% e vendvotimeve të përpunuara, respektivisht nga 3339 vendvotime. Gjithsej kanë qenë 3480 vendvotime.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në faqen zyrtare në interneti ka nisur të publikojë rezultatet fillestare, sipas të cilave kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski, kryeson përkohësisht.

Por sekretari i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev tha se nga të dhënat e deritanishme, kandidatja e tyre Gordana Siljanovska udhëheq me një diferencë të madhe para dy kandidatëve të tjerë gati në të gjitha komunat e Maqedonisë. Ai tha se edhe pse Gordana ishte e vetme para LSDM-së, BDI-së dhe gjithë partive të tjera në pushtet ajo ia ka arritur të fitojë.

Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndeti mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. “Zgjedhjet kaluan në një atmosferë të qetë, korrekte dhe demokratike në përputhje me standardet evropiane. Zgjedhjet e sotme ishin edhe një plotësim i kushtit për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”, deklaroi Arbër Ademi, nga BDI.

Nga shtabi zgjedhor i kandidatit Blerim Reka, ndonëse zgjedhjet i kanë vlerësuar si të qeta, kanë shprehur vërejtjet e tyre rreth mospastrimit të listës zgjedhore.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në një konferencë për shtyp së bashku me aleatin e tij të Besës, Bilal Kasami dhe kandidatin e tyre të përbashkët për President, Blerim Reka, tha se shqiptarët e dhanë qartazi mesazhin dhe sot me votë dëshmuan se janë të pakënaqur. Këtë, sipas kryetari të ASH-së, e dëshmuan me votë direkte për profesor Rekën ku në të gjitha komunat me shumicë shqiptare, profesor Reka fiton me rezultatin 3 me 1. Sipas tij, mesazh të fortë jep edhe numri i ulët i pjesëmarrjes në komunat me shumicë shqiptare. “Bojkoti për definicion, është bojkot ndaj pushtetit dhe bojkot ndaj pushtetit qeverisës. Këtu shihen edhe gjurmët e këtij shtetit të zbrazur, mungesës së shtetit të së drejtës dhe mungesës së shpresës në këtë vend. Partitë në pushtet kanë humbur përfundimisht në këto zgjedhje”, deklaroi Sela.

Për rezultatet në kohë reale klikoni këtu: Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë