Lajme

Presidenca: Venecia, “hu” Kuvendit për rrjedhjen në media të draft-opinionit

Komisioni i Venecias po shqyrton draft-opinionin e ekspertëve në lidhje me kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për mendim nëse Presidenti Ilir Meta shkeli Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit apo jo.

Sipas kalendarit të punimeve të publikuar në faqen zyrtare të këtij Komisioni nga ora 11:00 deri në orën 13:00 është koha e takimeve të Komisionit me përfaqësues të Presidentit dhe të Kuvendit të Shqipërisë.

Por, pak pas orës 11:00, disa media në Shqipëri raportuan se Komisioni kishte miratuar draft-opinionin duke cituar si burim të lajmit Taulant Ballën. Kreu i grupit parlamentar socialist është pjesë e delegacionit të Kuvendit në Komisionin e Venecias dhe sipas axhendës duhe të jetë ende brenda në takim.

Menjëherë ka reaguar Presidenca, që me anë të zëdhënësit Tedi Blushi nënkupton se nuk ka ende një vendimmarrje të Komisionit sa i takon draftit në fjalë dhe se lajmi është shpërndarë me titra të porositura. Në postimin e tij, Blushi thotë se delegacioni i Kuvendit është qortuar për rrjedhjen në media të draft-opinionit.

“Propozimet e Tao Tao-s gajasën sot të madh e të vogël në Komisionin e Venecias. Hëngri një dajak të fortë, por mënd nuk zuri dhe vazhdon propogandën bajate me titra të porositura. I kujtoj Tao Tao-s “hurin” që mori nga raporteri i çështjes për rrjedhjen në media të Draft-Opinionit, për keqpërdorim politik dhe nëse nuk është ftilluar akoma, ai dhe delegacioni që e shoqëron, le të bëjnë një vizitë në Bienalen e Venecias, se ndoshta u bie stresi”, shkruan zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta.

Blushi shton se Presidenti e ka të qartë se nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë