Lajme

Presidenca kundër Ambasadës së SHBA: Rruga e Elbasanit të çon në Xibrakë! Boll me Rule of Embassy

Pak pas deklaratës së Ambasadës Amerikane, ku këshillohej dërgimi i ngërçit kushtetues për zgjidhje në Venecia, ka reaguar zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi.

Ai thotë se “garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë përgjigjen zyrtare”. Përgjigja zyrtare duket se është dhënë në një telefonatë mes Presidentit Ilir Meta dhe të dërguarit të Posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, telefonatë që konfirmohet si nga ambasada e SHBA në Tiranë, ashtu edhe nga Presidenca.

Blushi nuk e përmend se cila është përgjigjia, por ditën e hënë, Presidenti Ilir Meta doli kundër propozimit për ta dërguar në Venecia.

“Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtesi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës”, shkruan ai.

https://www.facebook.com/blushited/posts/10157730436037760

Por, cili është ambasadori që Presidenca e cilëson ambasador të Agaçit dhe për më tepër në ikje? A është Ambasadori italian, Alberto Cutillo? Cutillo ishte i pari që hodhi idenë e dërgimit të kësaj përplasjeje në Venecia për zgjidhje.

Në fund, Blushi e mbyll deklaratën duke iu kundërvënë edhe ambasadës amerikane.

“Mjaft më me “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Law” si çdo vend demokratik. Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor dhe për në Xibrakë! Rruga e Kavajës të çon në Kavajë! Vetëm rruga e Kushtetutës na çon në Europën e Bashkuar!”, mbyll reagimin e tij zëdhënësi i Presidentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë