Politike

Presidenca Gjermane dhe provimi i Shqipërisë që nuk mund të kalojë me një foto me Merkel

Gjermania merr drejtimin e Presidencës së Bashkimit Europian të mërkurën dhe Angela Merkel  është një nga dy gratë e deritashme, që do të drejtojë si  “lidere” e BE-së për gjashtë muaj pas Margaret  Thacher.

Për Shqipërinë, Gjermania shihet si trampolina e duhur për të shtyrë më tej rrugëtimin e saj drejt BE-së.

Që në fillim të ditës, klasa politike shqiptare ka nxituar të përcjellë foto dikush me Angela Merkel e dikush me Presidentin e Bundestagut gjerman, Wolfgang Schäuble,

Presidenti Ilir Meta gjate nje takimi me kancelaren gjermane Angela Merkel

“Mirënjohës për vendosjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në krye të agjendës europiane. Kjo është një mundësi që nuk duhet humbur kurrësesi! Shqipëria duhet të zbatojë të gjitha kushtet e vendosura sa më parë. Takimi i djeshëm me Kryetarin e Parlamentit ishte një hap i parë optimist për vijimin e emërimeve të Gjyqtarëve të tjerë Kushtetues. Shpresoj që kjo të frymëzojë një qasje të ngjashme gjithëpërfshirëse në të gjitha fushat ku nevojiten reforma kyçe. Pritshmëritë për nisjen e negociatave të anëtarësimit gjatë Presidencës gjermane janë të larta”, shkruan Ilir Meta në Facebook, postim që e shoqëron me një foto me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Më i ftohtë në qëndrimin e tij të shoqëruar edhe ai me një foto me Merkel, është edhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Ish-ministri i Jashtem, Ditmir Bushati me kancelaren gjermane Angela Merkel

“Sot, Gjermania merr drejtimin e Presidencës gjashtëmujore të BE-së. Megjithëse pesha e presidencave është relativizuar, për shkak se tanimë është Këshilli Europian, institucioni që përcakton agjendën në rrafshin e BE-së, me një horizont kohor që tejkalon gjashtë muaj, marrja e drejtimit të BE-së në këtë moment kritik, nga vendi më i fuqishëm europian, shoqërohet me pritshmëri të mëdha... Për Shqipërinë, Presidenca Gjermane është një mundësi e shkëlqyer që nuk duhet humbur, për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Gjermania është një partner i ndershëm dhe i pazëvendësueshëm për Shqipërinë në rrugëtimin europian”, shkruan Bushati.

Edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruci, ka pritshmëri nga presidenca gjermane. Ruci e përcjellë komentin e tij përmes një letre dërguar presidentit të Bundestagut gjerman.

Ruçi nuk e ka takuar Merkel dhe foton për presidencën gjermane e përcjell me një takim të zhvilluar nga ai në Berlin me Wolfgang Schäuble.

Kryeparlamentari me Presidentin e Bundestagut gjerman

“Shqipëria i është mirënjohëse Gjermanisë, Bundestagut dhe Juve personalisht për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin shumë të madh në mbështetjen e integrimit europian të Shqipërisë. Vendimi i Këshillit Europian në 25 mars të këtij viti për çeljen e negociatave me Shqipërinë është meritë e rezultat edhe i mbështetjes së fuqishme të Kancelares Merkel, Bundestagut dhe Tuajës.   Kuvendi dhe Qeveria e Shqipërisë po punojnë me përgjegjësi të lartë për të zbatuar në mënyrë rigoroze rekomandimet e Këshillit Europian dhe Bundestagut”, shkruan ndër radhë Ruci në letrën drejtuar Presidentit të Bundestagut gjerman.

Politika shqiptare ka pritshmëri të mëdha nga Presidenca gjermane, por roli i saj në raport me detyrat e BE-së duhet parë në dy drejtime:

Parë në rrafshin e përgjithshëm, presidenca gjermane përkon në një kohë delikate për Evropën. 

Dy janë çështjet që duhet të përballojë Presidenca Gjermane: 1) Miratimi i buxhetit të ardhshëm të BE-së, ku duhet të reflektojë edhe fondin e rimëkëmbjes nga pandemia dhe 2) marrëveshja tregtare me Mbretërinë e Bashkuar.

“Nuk është ekzagjerim, nëse themi, se jemi para sfidës më të madhe ekonomike në historinë e Bashkimit Europian”, tha Angela Merkel.

 Pra, Gjermania e nis Presidencën me kokëçarje të mëdha për Evropën, që e kanë pikënisjen kryesore nga rimëkëmbja ekonomike.

Parë pastaj në një rrafsh krejt të ngushtë për Shqipërinë, që në fillim të ditës, Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, e vuri theksin tek përmbushja e 15 kushteve të Bashkimit Europian si hapi kryesor për nisjen zyrtare të bisedimeve me unionin zyrtar, nëntë prej të cilave janë vendosur nga Bundestangu gjerman.

Këshilli Europian vendosi hapjen e negociatave për Shqipërinë më 24 mars, por duke cituar më parë plotësimin e disa kushteve. Tre prej këtyre kushteve, ngritja e Gjykatës Kushtetues, ngritja e Gjykatës së Lartë dhe reforma zgjedhore duhej të plotësoheshin në mënyrë që të shkohej drejt mbledhjes së parë ndërqeveritare, ndërsa pjesa tjetër e tyre gjatë fazës së negociimeve.

Ndaj dhe klasës politike shqiptare më shumë sesa një foto proklamuese me kancelaren gjermane Angela Merkel i volitet përmbushja e kushteve sepse në rastin e Gjermanisë ngazëllimet nuk pinë ujë. E as fotot.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë