Analize

Merkel shkruan “kapitullin e fundit” si liderja më jetëgjatë e bllokut

Gjermania do të udhëheqë Europën drejt rimëkëmbjes pas krizës më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.  Kancelarja gjermane Angela Merkel nis sot atë që ka të ngjarë të jetë rrugëtimi i fundit politik, por edhe më i vështiri, duke marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian.

"Europa ka nevojë për ne, ashtu si na duhet Europa," tha kancelarja në një mbledhje të rrallë të Parlamentit Europian, javën e kaluar, duke paraqitur vizionin e saj për presidencën europiane.

Gjermania merr përsipër kryesinë gjashtëmujore të Bashkimit Europian, ndërkohë që vendet anëtare po luftojnë  jo vetëm me pandeminë e koronavirusit, por edhe me pasojat e egra ekonomike.

Merkel është shfaqur e përgatitur për të shkruar faqen e fundit të trashëgiminë e saj nëpërmjet një plani masiv të rimëkëmbjes ekonomike për të ndihmuar bllokun europian të përballojë krizën ekonomike.

Roli i fundit i madh i Merkel në skenën ndërkombëtare vjen pasi unioni prej 27 anëtarësh përballet me recesionin më të thellë që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërkohë që pandemia ka vrarë më shumë se 500,000 njerëz në të gjithë botën.

Kriza ka galvanizuar lideren më të fuqishme të Europës, të cilës i ka mbetur edhe një vit në mandatin e saj të fundit si kancelare. Ajo duket se ka hequr dorë nga gjakftohtësia politike që ka shfaqur ndër vite, duke deklaruar hera-herës se "situata ekstreme kërkojnë masa ekstreme”.

"E ardhmja e Europës është e ardhmja jonë," tha Merkel të hënën ndërsa qëndronte pranë Presidentit Francez Emmanuel Macron, kur kërkoi miratimin e një fondi rimëkëmbjeje prej 750 miliardë eurosh. Fondi i propozuar do të financohej në mënyrë të diskutueshme përmes huamarrjes së përbashkët të BE-së dhe shënon një kthesë të madhe për Gjermaninë pas kundërshtimit të borxheve të përbashkëta.

“Presidenca e radhës e BE-së është "shansi i fundit" i Merkel për t’u mbajtur mend si një nga udhëheqëset më të mëdha të Europës”, shkruan sot e përjavshmja Der Spiegel, duke shtuar se më 1 korrik, Gjermania merr më shumë përgjegjësi si kombi më i madh dhe ekonomia e madhe e bllokut. "Për vite me radhë, kancelarja u përpoq të merrej me problemet kronike të BE-së. Tani, drejt përfundimit të karrierës së saj politike, ajo ka mundësinë të heqë dorë nga gabimet e së kaluarës, ”shkroi Spiegel.

Pas 15 vjetësh në detyrë, Merkel është udhëheqësja më jetë gjatë e bllokut dhe ka mbajtur presidencën e BE një herë më parë, në vitin 2007. Por përveç pandemisë, sfidat që e presin Gjermaninë në muajt në vazhdim, janë të shumta.

Merkel dhe Macron, Gazeta Si, 2020

Bisedimet për shkëputjen e Britanisë nga BE-ja, një Kinë më konfrontuese, dialogu Kosovë-Serbi, dobësimi i marrëdhënieve me SHBA-në për shkak të negociatave mes dy vendeve, ndryshimi i klimës dhe konfliktet në Libi dhe Siri do të jenë të gjitha prioritete, edhe pse pandemia premton të mbizotërojë agjendën.

Unitet me Francën

Në një shfaqje uniteti, Presidenti Francez Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel u takuan më 29 qershor dhe riafirmuan angazhimin e tyre ndaj Fondit të Rimëkëmbjes së BE, duke u shprehur liderët e BE do të kapërcejnë dallimet dhe të mendojnë për të mirën e unionit. Merkel kërkoi ndihmën e Komisionit Europian, i cili parashtroi i pari plane për një fond prej 750 miliardë eurosh.

Fondi pritet të ndihmojnë vendet më të goditura nga pandemia, si Italia, e cila gjendet tanimë e ngarkuar me borxhe dhe Spanja. Megjithatë, disa vende anëtare e kanë kundërshtuar planin.

Një test i parë i madh për presidencën gjermane do të jetë një samit i BE-së më 17 dhe 18 korrik, ku Merkeli shpreson se liderët do të arrijnë një marrëveshje mbi fondin.

“Fondi nuk mund të zgjidhë të gjitha problemet e Evropës, por pa të gjërat vetëm do të përkeqësohen”, tha Merkeli në një intervistë të publikuar më 26 qershor.

Shumë shpejt u bë e qartë se Merkel kishte një mesazh më të ngutshëm: Ndërsa Evropa lufton me koronavirusit, të cilën ajo e përshkroi si "sfidën më të madhe" në historinë e BE-së, kishte ardhur koha që Gjermania të merrte frenat. Më e rëndësishmja, Merkel e bëri të qartë se të ndihmosh Europën ishte thelbësore për interesin kombëtar të Gjermanisë.

Merkel dhe presidenti Thaci, Gazeta Si, 2020

Kosova

Pas “luftës diplomatike me SHBA-në, Gjermania e ka bërë gjithnjë e më të qartë se dialogun midis Kosovës dhe Serbisë do ta udhëheqë BE-ja. Nën presidencën e Gjermanisë, në gjashtë muajt e ardhshëm, Brukseli ka premtuar përparime të rëndësishme në dialog, të cilin po bëhet gati ta udhëheqë bashkë me Francën.

Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kanë rënë dakort të mbajnë një takim në Paris, i cili do të bëjë bashkë palën shqiptare dhe atë serbe dhe do të shënojë nisjen zyrtarë të dialogut.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, u shpreh se Berlini po përgatitet për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes dy palëve, e cila do të kalonte sigurisht nga Bashkimi Europian.

“Ne i mbështesim fuqishëm përpjekjet e Bashkimit Europian, me të dërguarin e posaçëm për dialogun Mirosllav Lajçak, për të arritur përparime, në afat të prekshëm kohor, përnjë  zgjidhje gjithëpërfshirëse. Qeveritë tona janë të gatshme të udhëheqin takimin e propozuar në korrik”, shkroi ambasadori Heldt.

Megjithatë kërkesa kryesore me të cilën përballet Gjermani kur bie fjala tek Kosova është liberalizimi i vizave, i cili është kërkuar së fundmi nga eurodeputetët e parlamentit europian në një deklaratë të përbashkët.

I dërguari i Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell ka qenë mjaftë kritik ndaj zyrtarëve të Brukselit lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Zyrtarët e prirë nga përfaqësuesja europiane, Viola von Cramon Taubadel i kanë dërguar një letër kancelares Angela Merkel duke kërkuar që Gjermania të përmbyllë brenda këtij viti çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovë në kuadër të presidencës së Bashkimit Europian.

Pas kësaj letre, Grenell, i cili u shpreh se më një fund erdhi edhe një lajm i shumëpriturdhe se përqendrimi i SHBA-ve në normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ka shtyrë europianët në “aksion”.

“Edhe ne jemi të lumtur t’i shohim teksa udhëheqin liberalizimin e vizave“, shkroi Grenell.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë