Politike

Prençi jep dorëheqjen si këshilltar i Metës, kandidat i LSI-së në Durrës

Pasi dha dorëheqjen nga posti i këshilltarit të Presidentit Ilir Meta për çështjet e emergjencave, Shemsi Prençi ka sqaruar se do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.

Me anë të një postimi të gjatë në faqen e tij në Facebook, Prençi bën me dije se do të jetë kandidat Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Durrësit.

“Në shoqëritë e hapura demokratike, çdo veprim apo lëvizje në poste shtetërore pa dashje kthehet në lajm dhe lajmin e interpretojnë në forma të ndryshme njerëz të ndryshem, pa llogaritur pastaj “kazan” e llafazan fanatik pro qeverisë që tërbohen për të gjithë ata që janë kunder! Dua të ndaj sinqerisht arsyet e dorheqjes.

Edhe pse kam patur propozime për kandidim në zgjedhjet e datës 25 prillit 2021 nga disa Degë të Partisë Demokratike si në Dibër, Bulqizë, Kamëz, Sukth etj, si dhe nga Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, kam pranuar dhe vendosur kandidimin tim si kandidat për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun Durrës. Kam paraqitur kërkesën për dorëheqje pranë Presidentit të Republikës në zbatim të ligjit për zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë, sepse gjithmonë kam qenë nëpunës korrekt”, - shkruan Prençi.

Më tej ai jep edhe disa detaje të tjera rreth kandidimit të tij: “Së shpejti, me mbylljen e procedurave të rregjistrimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, do t’ju informoj për “targën” dhe numrin ose emrin si të vendoset në KQZ dhe do të kërkoj ndihmën tuaj për mbështetje në qarkun e Durrësit. Garantoj miqtë dhe votuesit se do të kërkoj vota popullore të ndershme te të gjithë ata që nuk janë ndjerë të përfaqësuar nga deputetë të emëruar nga Partitë në 30 vite.

Do të kërkoj vota të ndershme te të gjithë komunitetet që banojnë në qakun Durrës majtas e djathtas për një përmbysje të madhe me 25 Prill të pushtetit të Rilindjes dhe oligarkëve që për 8 vite grabitën Shqipërinë, ashtu si dhe ndodhi në Kosovë.

Do kërkoj votat e dibranëve në gjithë qarkun e Durrësit e që nuk janë pak por plot 47.000 vota me bindjen se: i kam bërë krenarë kudo që kam punuar si njeri që ka zbatuar me fanatizem vetëm ligjin dhe për ligjin kam qenë i vetmi oficer i lartë i policisë së shtetit që kam kundërshtuar ministra dhe kryeministra majtas e djathtas. Shpresoj në mbështetjen tuaj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë