Mjedis

U premtua që në 2015, sot u firmos për fillimin e shpalljes së lumit Vjosa, ‘Park Kombëtar’

Nga Gazeta Si- Këtë të hënë kryeministri Edi Rama dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro së bashku me Ryan Gellert Ceo-n e Organizatës amerikane ‘Patagonia’, e njohur ndërkombtarisht për angazhimet e saj në fushën e mjedisit kanë firmosur një memorandum bashkëpunimi duke dhënë edhe një herë tjetër premtimin se Lumi Vjosa do të shpallet park kombëtar.

Në këtë memorandum bashkëpunimi të nënshkruar në Tiranë, palët angazhohen për të punuar së bashku në rritjen e shkallës së mbrojtjes së lumit Vjosa në kategorinë e dytë, "Park Kombëtar", duke përfshirë edhe degëzimet.

Brenda 45 ditësh nga nënshkrimi i këtij memorandumi, do të ngrihet grupi i punës, nën udhëheqjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë. Detyra e këtij grupi pune është të hartojë një propozim të plotë dhe profesional për statusin e Parkut Kombëtar, përmes zonimit dhe përcaktimit të kufijve të Parkut Kombëtar, konsultimin me palët e interesit dhe shqyrtimin e mundësive të zhvillimit të eko-turizmit.

Pasi Ministria e Turizmit dhe Mjedisit të ketë gati propozimin e plotë, vetë qeveria do të vendosë shpalljen e Vjosës Park kombëtar.

Premtimet për ta bërë Lumin Vjosë Park Kombëtar duke e mbrojtur kështu nga çdo ndryshim që mund të bëhet nga dora e njeriut kanë të paktën që në zgjedhjet vendore të vitit 2015 që bëhen nga Kryeministri Edi Rama.

“Qeveria jonë është duke punuar për t’i dhënë formë një projekti të madh kombëtar që është transformimi i gjithë luginës së Vjosës në një park kombëtar”, tha Rama gjatë fushatës së tij në Tepelenë në qershor të vitit 2015.

I njëjti premtim u dha edhe në shtator të 2020 ku me një postim në Twitter, Edi Rama shkroi se Qeveria kishte shpallur Vjosën e sipërme Park Kombëtar por menjëherë erdhi edhe reagimi i Olsi Nika, kryetarit të organizatës së mjedisit EcoAlbania i cili ka thënë se kjo nuk është e vërtetë.

Pas kësaj ka vazhduar edhe saga e organizatave, si ato shqiptare ashtu edhe ato ndërkombëtare për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar.

Me një përmbledhje fotografish me mbishkrimin “Vjosa National Park now", në disa sheshe të njohura të europës, Thomas Waitz, anëtar i të Gjelbërve në Parlamentin Europian ka bërë thirrje për ta mbrojtur Vjosën.

Në mbrojtjen e Vjosës është angazhuar edhe aktori Leonardo Di Caprio i cili shpesh herë ka reaguar me anë të rrjeteve sociale në mbrojtje të lumit Vjosa.

Në samitin COP26 në Skoci, Rama u takua me Di Caprion ku dhe bëri një fotografi duke e postuar në rrjetet sociale me mbishkrimin “Kur je komshi me Leonardo Di Caprion dhe të lidh mbrojtja e Vjosës.

Ditën e sotme, gjatë fjalës së tij, Rama përmendi edhe “komshiun” e tij duke thënë se ai “u bë i gjallë për ta goditur qeverinë, por nuk u bë i gjallë për ta mbështetur qeverinë. Tani qeveria po bën atë që atij i kishin thënë që nuk kishte ndërmend ta bënte, por që në fakt qeveria ishte duke e bërë. E ka shok të mirë ministrja e Turizmit, prandaj nuk po i bie më shumë dhe mbase këto goditje do t’i shkojnë në vesh se mund ta kishim lavdëruar një orë dhe as do ta merrte vesh fare”, tha Rama.

Edhe Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Europian vendosi të përfshijë Vjosën në raportin e progresit për Shqipërinë. Në raport, komiteti i kërkon qeverisë shqiptare të braktisë planet e digës përgjatë Vjosës dhe "të krijojë një Park Kombëtar të Vjosës sa më shpejt të jetë e mundur, i cili do të përfshijë të gjithë gjatësinë e lumit".

Ndërkohë që kauza për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar u shpalos në të gjithë europën dhe reagimet erdhën nga të gjitha anët, në janar të këtij viti u njoftua shpallja e Vjosës Park Natyror, një shkallë më e ulët mbrojtjeje se shpallja e tij Park Kombëtar.

Duke u “shfajësuar” pse nuk e shpalli Park Kombëtar, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tha se për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar është ngritur një grup pune me grupet e interesit për të mbledhur të dhëna rreth asaj që gjendet rreth Lumit Vjosa.

Kumbaro deklaroi në media se shpallja bëhet me stade dhe ai ishte vetëm stadi i parë. Sot si duket ishte fillimi i stadit të dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë