Mjedis

Sondazhi: 94 % e shqiptarëve e duan Vjosën Park Kombëtar

Organizatat e mjedisit: Kryeministri gënjeu për Vjosën

Sipas një sondazhi të opinionit publik të zhvilluar në fillim të dhjetorit nga IDRA Poll (një kompani e cila zhvillon edhe sondazhe të opinioneve publike për partitë politike në Shqipëri), 94% e shqiptarëve janë shprehur pro një Parku Kombëtar të lumit Vjosa në të gjithë gjatësinë e lumit. Arsyet kryesore për këtë mendim të përbashkët janë kryesisht "për të mbrojtur bukuritë natyrore të vendit dhe peizazhin" dhe për të pasur "mundësi më të mira për zhvillimin e turizmit" në rajon. Në të njëjtën kohë, 78% e të anketuarve kundërshtojnë ndërtimin e digave në Vjosë (14% neutral, 8% në favor të digave,). "Ky është një mesazh i qartë: shqiptarët dëshirojnë një Park Kombëtar dhe jo diga në Vjosë, dhe qeveria ka detyrimin të dëgjojë vullnetin e tyre", thotë Olsi Nika nga Eco Albania.

Organizata mjedisore shqipatre Eco Albania dhe organizata të tjera të huaja që lobojnë për Vjosën si park kombëtar dhe janë në kundërshtim të ndërtimit të HEC-eve në të, thonë se kryeministri ka gënjyer me qëndrimin e tij tre muaj më parë kur tha se “Vjosa nuk do të preket”.

Në një njoftim të parbashkët për shtyp, organizatat e mjedisit e konisderojnë lojë politike atë që po zhvillohet për Vjosën. Sipas tyre, “+ 94% e shqiptarëve janë në favor të krijimit të Parkut Kombëtar të Vjosës. IUCN e konsideron Parkun Kombëtar si opsionin më të mirë për lumin e Vjosës. Ministri i Mjedisit ka të tjera plane për luginën e Vjosës”- citohet në njoftim.  

Më 25 shtator, thotë njoftimi i përbashkët i organizatave, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi në Twitter se: “Qeveria jonë ka shpallur Vjosën e sipërme, Park Kombëtar. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projektet e HEC-eve në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun!” Ky mesazh u mirëprit nga shumë palë të interesuara si, Eurodeputetë, Komuniteti i Energjisë, organizatat për ruajtjen e natyrës, madje edhe aktori me famë botërore Leonardo Di Caprio. Megjithatë, tre muaj më vonë, njoftimi i Kryeministrit duket të jetë një premtim i zbrazët. Javën e kaluar, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) - një agjenci në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit - paraqiti planet e saj për lumin Vjosa. Nuk është thënë asnjë fjalë për një Park Kombëtar dhe nuk parashikohet asnjë status mbrojtjeje për pjesët më me vlerë të lumit, të cilat kërcënohen nga projektet e hidrocentraleve.

 “Realiteti bie në kundërshtim me deklaratën e Kryeministrit tonë. Aktualisht, duket sikur shqiptarët po mashtrohen. E ardhmja e Vjosës ka të bëjë edhe me besueshmërinë e Edi Ramës dhe qeverisë së tij”, thotë Olsi Nika, drejtor i EcoAlbania.

Sipas Eco Albania, Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), autoriteti më i rëndësishëm global për mbrojtjen e natyrës është shprehur në favor të Parkut Kombëtar të Vjoës, ai njeh rëndësinë ndërkombëtare të vlerave të jashtëzakonshme natyrore të lumit Vjosa. Një draft studim i porositur nga IUCN tregon potencialin që Lumi Vjosa ka për shpalur Park Kombëtar. Studimi pritet të publikohet në fillim të vitit 2021 dhe përfshin një vizion dhe strategji për përcaktimin e duhur kategorisë së mbrojtjes së lumit Vjosa, duke përfshirë pjesën e tij të mesme, që është thelbësore në integritetin dhe mbrojtjen afatgjatë të këtij ekosistemi lumor ndërkufitar unik dhe të jashtëzakonshëm.

“Fjalët e kryeministrit Rama dhe realiteti Sidoqoftë, çdo ditë bëhet më e qartë, se qeveria shqiptare, veçanërisht Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM), po shkojnë në drejtim të kundërt. Në kundërshtim të njoftimit të mëparshëm të Kryeministrit, me sa duket, nuk ka plane reale për të krijuar një Park Kombëtar përgjatë luginës së Vjosës. Në vend të tij, vetëm për pjesën e sipërme të Vjosës (deri në urën e Memaliaj), është planifikuar shpallja e zonës si kategori "Peizazh i Mbrojtur", ndërsa për pjesën tjetër në rrjedhën e mesme dhe të poshtme nuk është parashikuar asnjë status mbrojtjeje. Ky plan jo vetëm që përjashton pjesët më me vlerë të sistemit lumor, por gjithashtu do ta linte zonën në të cilën parashikohen digat e Kalivaçit dhe Poçemit të pambrojtur. Planet që u prezantuan nga AKZM-ja gjatë një konference javën e kaluar janë në të vërtetë një përpjekje për të mbajtur derën hapur për projektet hidroenergjitike të Kalivaç dhe Poçemit.”- citohet në njoftim.

Ulrich Eichelmann, shefi i Riverwatch, i cili ka ka punuar për vite me radhë në fushatën për mbrojtjen e lumit të Vjosës i konsideron planet e prezantuara si një shuplakë në fytyrë për të gjithë ata që janë në favor të Vjosës, një shuplakë në fytyrën e shqiptarëve, shkencëtarëve dhe atyre që besojnë në premtimet e Kryeministrit. Për përfaqësuesen e EuroNatur, Annette Spangenberg “Çdo kategori tjetër për Vjosën përveç Parkut Kombëtar nuk është e përshtatshme, pasi nënvlerëson vlerat e ruajtjes së natyrës së këtij ekosistemi unik. Për këtë arsye, procesi aktual i udhëhequr nga AKZM duhet të ndalet. Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Rama të mbajë premtimin e tij dhe të mbështesë shpalljen e një Parku Kombëtar përgjatë gjithë luginës së Vjosës. E ritheksojmë se procesi aktual i ndërmarrë nga AKZM është i nxituar, jotransparent dhe jo gjithëpërfshirës. Për këtë arsye, Ministri Klosi duhet ta ndërpresë atë dhe të fillojë një dialog të gjerë e të plotë me të gjitha palët e interesuara në procesin e shpalljes së Vjosës si Zonë e Mbrojtur”.

Organizatat theksojnë se e ardhmja e sistemit unik lumor të Europës mund të bëhet gjithashtu një çështje në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri. "Ne duam të dimë se cila parti, cili udhëheqës politik mbështet vizionin e Parkut Kombëtar për Vjosën dhe kush jo. Me vullnetin politik dhe mbështetjen ndërkombëtare, Parku i Parë Kombëtar i Lumit të Egër të Europës mund të inaugurohet deri në fund të vitit 2022 ", përfundojnë organizatat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë