Ne rrjet

Leonardo DiCaprio apel që Vjosa të shpallet Park Kombëtar

Aktori i mirënjohur Leonardo DiCaprio ka bërë sërish thirrje që lumi i Vjosës të shpallet Park Kombëtar. Përmes një postimi në Twitter, aktivisti për çështjet mjedisore, është shprehur se ky status “do ta mbrojë zonën nga digat dhe një kërcënimet si shpimet e naftës dhe gazit”.

Aktori 46-vjeçar e shoqëroi postimin me një artikull të organizatës “Global Wildlife Conservation” të shkruar nga gazetarja Gege Li, një biokimiste e cila prej vitesh shkruan për natyrën në revista shkencore.

Në artikull përmenden protestat e vazhdueshme nga shoqëria civile dhe angazhimet e aktivistëve mjedisor apo dhe komunitetit shkencor për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar.

Lumi Vjosa buron nga malet e Pindit në Greqi. Rreth 70 kilometra nga rrjedha prej 270 kilometrash të saj kalon në territorin grek e më tej në territorin shqiptar duke vërshuar deri në Adriatik. Vjosa konsiderohet lumi i fundit në Evropë me rrjedhë të lirë.

https://twitter.com/LeoDiCaprio/status/1390369224695042048?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1390369224695042048%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Feuronews.al%2Fal%2Fvendi%2Faktualitet%2F2021%2F05%2F07%2Fleonardo-dicaprio-apelon-serish-qe-vjosa-te-shpallet-park-kombetar%2F

Shumica e rrjedhës së Vjosës është e paeksploruar. Në vetëm një javë ekspedita në vitin 2017 dhjetëra shkencëtarë zbuluan mbi 300 specie, disa prej të cilave endemike. Ekspertët thonë se ato mund të rrezikohen nga projektet e parashikuara nga shteti shqiptar.

Tre dekadat e fundit në rrjedhën e Vjosës është diskutuar të ndërtohen 45 hidrocentrale, tetë prej të cilave direkt në lumin e saj dhe të tjerat në degët që i bashkohen. Nga këto plane hidrocentralet e Kalivaçit dhe Poçemit janë ato që ekspertët e mjedisit thonë se e kërcënon më tepër.

Së fundmi qeveria miratoi zhvillimin e një aeroporti dhe kompleksi resortesh turistike në pjesën e poshtme të Vjosës, mes Lagunës së Nartës dhe grykëderdhjes së Vjosës, ndërsa në zonën e Përmetit kompania ndërkombëtare Shell ka nisur kërkimet për burime nafte dhe gazi.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama tha vitin e shkuar se kishte refuzuar lejet mjedisore për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë ndërsa e shpalli një pjesë të territorit të saj “Park Natyror”. Mirëpo organizata si EcoAlbania, RiverWatch, Patagonia dhe ekspertë të mjedisit janë shprehur se ky status nuk është i mjaftueshëm për ta mbrojtur tërësisht Vjosën.

Ata dhe zëra ndërkombëtarë si Leonardo DiCaprio apelojnë që Vjosa të shpallet Park Kombëtar në mënyrë që e gjithë rrjedha e saj të jetë e mbrojtur nga planet e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë