Mjedis

Kauza e mbrojtjes së lumit Vjosa shpaloset në sheshet e Europës

Me një përmbledhje fotografish me mbishkrimin “Vjosa National Park now” në disa sheshe të njohur të Europës, Thomas Waitz, anëtari i të Gjelbërve në Parlamentin Europian, ka bërë thirrje për mbrojtjen e Vjosës duke folur në emër të gjithë aktivistëve në Europë.

“Sot të gjithë aktivistët në Europë kërkojnë mbrojtjen e Lumit të fundit të egër në Europë. Le të luftojmë për #vjosanationalparknow”, shkruan ai në Instagram.

Përmbledhja e fotografive është pjesë e fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Europës” që synon të mbrojë lumenjtë më të çmuar. Fushata koordinohet nga OJF-të Riverwatch dhe EuroNatur dhe realizohet së bashku me organizatën partnere në Shqipëri EcoAlbania.

I pari që ka reaguar për lumin Vjosa ka qenë aktori i njohur Leonardo DiCaprio i cili prej disa kohësh sensibilizon në rrjetet sociale për mbrojtjen e lumit. Një aktor tjetër që i është bashkuar listës është dhe Edward Norton, i cili në një postim në Twitter ka kërkuar mbështetjen e të gjithëve për mbrojtjen e Lumit.

“Lumi Vjosa rrjedh i paprekur nga burimi në det dhe grupet e komunitetit lokal në Shqipëri po bëjnë thirrje që ai të mbrohet përmes krijimit të një parku të ri kombëtar. Tregoni mbështetjen tuaj”, ka shkruar ai në Twitter.

Cili është debati?

Ambientalist Lavdosh Ferruni shpjegon për Gazetasi.al se, duke qenë se Lumi i Vjosës është pasuri natyrore me vlerë europiane, pasi është i vetmi lum i madh i egër në Europë, “shoqëria civile në Shqipëri dhe më gjerë ka kërkuar dhe ka argumentuar se Vjosa duhet të bëhet Park Kombëtar dhe të shmanget ndërtimi i digave mbi Vjosë”.

Lavdosh Ferruni, Ambientalist

Ai shpjegon se këtë gjë e ka kërkuar edhe komuniteti shkencor i vendit dhe ndërkombëtar por pengesa për t'u arritur kjo është koncesioni i dhënë nga qeveria për ndërtimin e dy HEC-eve, Kalivaç dhe Pocem.

“Parkut Kombëtar i hapet rruga vetëm nëse Qeveria heq dore nga koncesionet”, thotë Ferruni.

Hidrocentrali i parë që u miratua të ndërtohet në lumin Vjosa ishte ai i Kalivaçit. Leja u dha në vitin 1997 por ndërtimet filluan në vitin 2007. Punimet u ndërprenë si pasojë e problemeve të likuidimit me kompanitë nënkontraktore.

Më pas Qeveria Shqiptare anuloi kontratën e koncesionit në vitin 2017 dhe rihapi tenderin për përfundimin e digës së Kalivaçit.

Më Shtator 2020, Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se do të shpallë Vjosën një Park Kombëtar. Sidoqoftë deri tani qeveria nuk ka ndërmarrë hap në lidhje me këtë dhe për këtë shkak, aktivistët “kanë frikën” se do të vazhdojë ndërtimi i digave.

Ferruni thotë për Gazetasi.al se të huajt “janë ngritur në këmbë” për Vjosën pasi e shohin si pasuri të tyren, që duhet të mos keqpërdoret po të mbetet e tillë për brezat që do të vijnë.

Lumi Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës edhe pse deri para pak kohësh, njihej pak nga të huajt. Për më shumë se 270 kilometra ai rrjedh i paprekur dhe i pandërprerë dhe pikërisht përgjatë këtyre rrjedhave janë parashikuar të ndërtohen rreth tetë diga hidrocentralesh. Nisur nga kjo, janë të shumta reagimet dhe mund të themi se tashmë Lumi Vjosa është një çështje e ndërkombëtarizuar.

Po qytetarët shqiptarë çfarë mendojnë për lumin Vjosë?

Sipas një sondazhi të zhvilluar në dhjetor të 2020 nga kompania IDRA Poll, 94% e shqiptarëve janë shprehur pro një Parku Kombëtar të lumit Vjosa në të gjithë gjatësinë e lumit.

Arsyet kryesore pse të anketuarit duan Vjosën si Park Kombëtar lidhen me bukuritë natyrore dhe faktin se bukuri të tilla duhet të mbrohen. Një arsye tjetër që shkruhet në sondazh është se qytetarët e shohin si një zonë që duhet të mbrohet sepse ka potencial për turizëm dhe ka vlera historike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë