Politike

Prapaskenat/ Voltana Ademi s’është në listë, a po shkohet drejt emrit të Bardh Spahisë në primaret e Berishës dhe kë do mbështesë Basha?

Gazeta “Si” – Nuk do të jetë një garë mes grash në Shkodër. Kryetarja aktuale e Bashkisë së Shkodrës që në konfliktin e brendshëm në parti u reshtua krah Berishës, Voltana Ademi, nuk do të kandidojë për një tjetër mandat, edhe pse kishte shfaqur dëshirën paraprakisht.

Vetëm 24 orë nga votimi i primareve nga Komisioni i Rithemelimit për kandidaturën zyrtare, ajo nuk është përfshire ne listën përfundimtare të kandidaturave dhe as emri i Lorenc Lukës që ishte përfolur së fundmi.

Të shtunën në mbrëmje, Voltana Ademi përcolli një deklaratë të gjatë në Facebook, ku jepte mbështetjen për kandidaturat që do dalin nga primaret.  

“…Zëri, mbështetja dhe vota ime, do të bashkohet me të gjithë demokratët e shkodranët, që me 30 janar 2022, në “primaret” e PD- së, të evidentojmë më të mirët, më të mirin, atë që ka mbështetjen më të gjërë. Është shërbimi më i mirë që i bëjmë Shkodrës, të sotmes e të nesermes. Pas 30 janarit, do të jemi dhe duhet të jemi të gjithë bashkë, një skuadër edhe më e madhe, e fuqishme dhe e bashkuar, për të vazhduar rrugëtimin e pandalshëm për të mirën e shtëpisë sonë të përbashkët, Shkodrës”, shkruan Ademi.

Në listën zyrtare per Shkodren janë: Astrit Bushati, Irena Shestani, Bardh Spahija, Irma Kopliku, Bashkim Rroji, Ben Maliqi dhe Alfres Koçobashi

Në garën e primareve të dielën kandidatura që deri më tash po përflitet më shumë e favorizuar është ajo e Bardh Spahisë që sa duket ka më shumë mbështetje se emrat e tjerë.

Bardh Spahia, edhe për shkak të trashëgimisë politike familjare, duket se gëzon mbështetjen e disa klaneve në Shkodër përfshi edhe atë të Jozefina Topallit marrëdhëniet e të cilës me Spahjitë e Shkodrës kane qenë gjithnjë të mira politikisht.

Bardh Spahia dikur kishte mbështetjen edhe të Lulzim Bashës, por krisja mes tyre erdhi në garën për zgjedhjet e 25 Prillit ku Basha nuk e futi në listën e sigurt të kandidatëve për deputet. Megjithatë, Spahia arriti të marrë një numër të konsiderueshëm votash, rreth 7200, me shume sesa edhe drejtuesi politik i qarkut të Shkodrës, Helidon Bushati, i cili vetëm disa ditë më parë dha dorëheqjen nga kjo detyre për shkak të përplasjeve të klaneve brenda PD Shkodër që për hir të së vërtetës kane qenë gjithnjë dominuese dhe të forta

Nëse Bardh Spahia rezulton të dielën si kandidati më i votuar nga primaret, atij do t’i duhet të zgjidhë edhe një tjetër ngërç jo të vogël përballë kandidaturës së Lulzim Bashës që me gjase do të jetë ajo e kryetarit aktual të PD-së, Xhevdet Amulli, i cili shihet me favorit sesa kandidatura tjetër ajo e Xhemal Bushatit.

Bashkia e Shkodrës ka qenë gjithnjë bastion i PD-së por ndryshe nga zgjedhjet parlamentare në garë kësaj here do të ketë rëndësi qoftë edhe një votë e vetme, ndaj  dhe pritet me interes se si do te luajnë edhe klanet e tjera të parcelarizuara si ajo e LSI-së apo Tom Doshi që ka krijuar jo pak pakënaqësi në radhët e PS për ndikimin e tij me njerëz në strukturat e kësaj force politike.

Në garën për bashkinë e Shkodrës nga PS do të kandidojë Majlinda Angoni aktualisht prefekte.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë